Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka bërë të ditur në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit, deri në ora 11 kanë votuar 3 843 qytetarë, apo 7.31 për qind.
Ndërsa, krahasuar me zgjedhjet e 4 dhjetorit deri në të njëjtën kohë kanë votuar 4 055 qytetarë, apo 7.63 për qind.
Daka theksoi se deri më tani procesi i votimit ka shkuar në rregull dhe nuk ka pasur ndonjë ekses për ta prishur procesin.
Kujtojmë se në garë për kryetar të Drenasit janë: Ramiz Lladrovci nga PDK dhe Isa Xhemajlaj nga koalicioni Nisma – AAK
Në listën e votuesve të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve figurojnë 52 569 votues, numër që shënon një rritje prej 2,338 votuesve për dallim nga zgjedhjet e fundit në këtë komunë të mbajtura në vitin 2013.
Për këto zgjedhje do të hapen 28 qendra votimi në këtë komunë, katër më shumë se në zgjedhjet e vitit 2013.