Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) zyra e Presidentit ende nuk e ka dërguar dekretin për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar në Podujevë dhe Mitrovicën e veriut, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se posa ta marrin dekretin do të vazhdojnë me procesin sipas procedurave për shpallje të zgjedhjeve.
“Dekreti për shpallje të zgjedhjeve qarkullon nëpër media mirëpo ne nuk e kemi në duar, pa dekret zyrtar nuk mundem me diskutuar dhe me ju jap informatë tjetër përveç kësaj”.
“Ndërkohë kur ta kemi dekretin do t’ia keni të gjithë dhe do të vazhdojmë pastaj me procesin sipas procedurave për shpallje të zgjedhjeve”.
Gjatë së martës presidenti Thaçi, ka shpallur datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe për Kryetar në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto dy komuna, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi do të mbahen më 29 nëntor 2020.
Presidenti Thaçi e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës dhe në atë të Mitrovicës së Veriut në përputhje me vendimet dhe ligjin në fuqi.
Në dy vendimet e presidentit Thaçi theksohet se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut duhet të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse, në pajtim me Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.