KQZ lejon tërheqjen e Bazajt, Vetëvendosje e quan kundërligjore

Prishtinë | 20 Nën 2016 | 15:48 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka thirrur anëtarët e saj, të dielën, në mbledhje të jashtëzakonshme për të marrë vendim lidhur me tërheqjen nga gara të cilën e ka paraqitur kandidati i pavarur, Naim Bazaj, në zgjedhjet të cilat do të mbahen më 4 dhjetor në Drenas.

Megjithëse, në njoftimin e KQZ-së dërguar medieve thuhej se mbledhja do të udhëhiqej nga kryetarja Vadete Daka, ajo ka munguar.

Sidoqoftë, anëtarët e tjetër të Komisionit, me shtatë vota pro dhe dy vota kundër, morën vendim që të pranojnë tërheqjen nga gara zgjedhore të Naim Bazajt, raporton Ekonomia Online.

Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, ishte kundër që t’i lejohet tërheqja nga gara Bazajt. Sipas tij, ky vendim është i paligjshëm pasi që KQZ-ja nuk mundet më iu përshtat secilës kërkesë të partive politike dhe kërkesave të kandidatëve të cilat i adresojnë.

Bazaj, një zyrtar i lartë i PDK-së në Drenas, pasi nuk ishte kandiduar nga partia, kishte vendosur të garojë i pavarur. Por, pas takimeve me Kadri Veseli, ai e ka ndërruar mendjen dhe publikisht ka shprehur përkrahje për kandidatin Ramiz Lladrovci. Ngjashëm ka vepruar edhe Rrahim Elshani.

Gjatë javës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka miratuar një ankesë të subjektit Nisma për Kosovën, ku thuhen se KQZ-ja ka anuluar jashtëligjshëm largimin nga gara të Bazajt. PZAP e kishte obliguar KQZ-në ta rishqyrtojë përsëri vendimin e saj.

Sipas Rrustemit të Vetëvendosjes, vendimi i PZAP-it e anulon vendimin e KQZ-së. “Nuk duhet dhe nuk guxojmë të bëjmë shmangie të qëllimshme. Nuk duhet as të veprojmë sipas kërkesave të një partie politike. Mos të harrojmë që jemi institucion i pavarur, i paanshëm. Kjo që po bëjmë, përveç që është lajthitje, është dhe shkelje të ligjit. Për mua, ky vendim është plotësisht i papranueshëm”, tha Rrustemi.

Edhe Eshref Vishi, përfaqësues i Nismës për Kosovën, tha se vendimi i PZAP-it e anulon vendimin e KQZ-së.

Miradije Mavriqi, nga sekretariati i KQZ-së, tha që kandidati ka respektuar procedurën për të kërkuar tërheqjen e kandidaturës së tij. Sipas saj kjo kërkesë është arritur para kohës së përfundimit të kandidaturës.

“Kandidati Naim Bazaj është tërhequr në përputhje me nenet dhe ligjet për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale. Naim Bazaj ka paraqitur kërkesë me shkresë për tërheqjen nga kryetar të komunës”, ka thënë ajo.

Betim Gjoshi, përfaqësuese i PDK-së në KQZ, ka rikujtuar të pranishmëve që në Drenas kanë për të mbajtur proces të jashtëzakonshëm të zgjedhjeve dhe për të cilat kanë kohë vetëm 31 ditë. Ai tha se një kandidat nuk mund të mbahet me “zor” në garë.

“Nëse e mbajmë dhunshëm në garë një kandidat, çka do të ndodhë a mujm me zor me shti me marrë pjesë në zgjedhje? Çka po dëshirojmë me përfitu nëse e mbajmë me zor në zgjedhje…Pa emocione duhet të kalojmë ketë çështje e cila ka shumë pak kohë që të shqyrtohet”, tha Gjoshi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit do të mbahen më 4 dhjetor. Ato u shpallën pas dorëheqjes së Nexhat Demakut, pas vërtetimit të dënimit me burgim nga Gjykata e Apelit, në lidhje me akuza për krime lufte në rastin e njohur si “Drenica II”.

kqz

Të ngjashme