KQZ miraton procedurat emergjente për zgjedhjet, buxheti mbetet pezull

Prishtinë | 02 Dhj 2025 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Në fillim të mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas hapjes së periudhës për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, KQZ mori vendim për formimin e Komisionit për Kundërshtimin Administrativ, raporton Ekonomia Online.

„Në rast të refuzimit të aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, kundërshtimi ndaj njoftimit të KQZ-së mund të parashtrohet pranë këtij komisioni. Kundërshtimi administrativ mund të dërgohet përmes e-mailit në adresën: [email protected]. Çdo person, të cilit i refuzohet kundërshtimi administrativ, ka të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të vendimit të KQZ-së për refuzim, theksoi drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala.

Në vazhdim të mbledhjes anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi pyeti për çështjen e buxhetit.

“E kam të qartë çështjen e këtij propozimi për shkak të emergjencës dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por dua të di se ku qëndron çështja e buxhetit. Ndoshta edhe kryesuesi, si dhe ju si drejtor, mund të na informoni se deri ku ka shkuar procedimi i buxhetit, sepse nuk mund të zhvilloni asnjë operacion zgjedhor pa të”, tha Gashi.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala tha se ende nuk ka njoftim nga Ministria e Financave.

“Po, Ilir, siç e dini, më 25 nëntor KQZ-ja ka bërë kërkesën zyrtare përmes arkivës në Ministrinë e Financave dhe ende nuk kemi marrë asnjë njoftim nga kjo ministri. Sapo të marrim përgjigje, mund të fillojmë me aktivitetet tona”, tha Buzhala.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ miratoi rekomandimin e Sekretariatit të KQZ-së për zhvillimin e procedurave emergjente ekstreme për aktivitetet e prokurimit që lidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Këto aktivitete përfshijnë një sërë veprimesh të domosdoshme për organizimin e zgjedhjeve, si:

                •             shtypja e fletëvotimeve, broshurave dhe listave përfundimtare të votuesve;

                •             furnizimi me material për votim jashtë Kosovës;

                •             shërbimet postare për organizimin e votimit jashtë Kosovës (dërgimi i pakove me fletëvotime, materialeve zgjedhore dhe kthimi i tyre);

                •             pakot e trajnimit për zgjedhjet e parakohshme;

                •             doracakët e trajnimit;

                •             plani për informim dhe edukim të votuesve;

                •             transporti i materialit zgjedhor;

                •             format zgjedhore;

                •             kabinat e votimit;

                •             ngjyrat matrikulare;

                •             furnizimi me vula;

                •             materialet administrative për pakot me fletëvotime;

                •             distinktivët për KKZ, trajnerët, KVV-të, stafin teknik, QNR, SKQZ dhe vëzhguesit e zgjedhjeve;

                •             lidhëset e sigurisë për kutitë e votimit;

                •             shërbimi i mirëmbajtjes dhe përkrahjes teknike, eksportimi, ruajtja dhe fshirja e regjistrimeve të vendvotimeve; instalimi, konfigurimi dhe testimi i kamerave në QKN, si dhe furnizimi me pajisje të rrjetit në QKN;

                •             transporti për stafin e QNR-së dhe të depos;

                •             furnizimi me sistemin e kamerave dhe kontrollin e qasjeve në QNR; dhe

                •             furnizimi me materiale për votim jashtë Kosovës.

Në kuadër të vazhdimit të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, KQZ mori vendim për miratimin e specifikimeve teknike për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve. Dokumenti i miratuar është për qëllim të tenderimit të shtypjes së fletëvotimeve, broshurave ë kandidatëve si dhe listave të votuesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Dizajni dhe numri i saktë i fletëvotimeve që do të shtypen, do të vendoset nga KQZ në një fazë të mëvonshme, pas certifikimit të subjekteve politike, kandidatëve dhe listës së votuesve.

Të ngjashme