KQZ përgatit rreth 105 mijë pako me fletëvotime që do t’ju dërgohen votuesve jashtë Kosovës për votimin me postë

Prishtinë | 20 Maj 2026 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur rreth 105 mijë pako individuale, brenda së cilave gjendet nga një fletëvotim i zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Të gjitha këto pako, do të fillojnë të shpërndahen tek votuesit jashtë Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi gjatë kohës kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku po bëhej përgatitja e pakove, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tregoi se votimi me postë jashtë Kosovës do të fillojë më 21 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor.

“Në prag të fillimit të votimit me postë jashtë Kosovës, i cili do të nisë më 21 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur pakot individuale me fletëvotim për secilin votues të regjistruar që gjatë regjistrimit ka përzgjedhur këtë mënyrë votimi në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Deri më tani, shërbimi votues ka përgatitur 75,000 pako dhe rreth 30 mijë të tjera do të bëhen gati gjatë ditës së sotme e mërkurë”, tha Elezi.

Sipas tij, “çdo pako është individuale dhe secila prej tyre përmban: 1. Udhëzuesin për procedurën e votimit; 2. Fletëvotimin; 3. Zarfin e fshetësisë; dhe 4. Zarfin kthyes”.

Sipas Elezit, këto pako, përmes operatorit ekonomik do të fillojnë të shpërndahen në shtete të ndryshme të botës.

“Përmes shërbimeve postare, shpërndarja e pakove në adresat e votuesve do të fillojë gjatë ditës së enjte, 21 maj, dhe për votimin me postë jashtë vendit, planifikohet të shpërndahen rreth 105 mijë pako. Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, tha Elezi.

Sipas tij, “votimi përmes postës do të fillojë më 21 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor. KQZ u bën thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për ta dërguar pakon e tyre me fletëvotim, por ta bëjnë këtë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit”.

Për të mundësuar një proces më të lehtë të votimit për qytetarët e regjistruar për votim me postë, ka vënë në funksion kuti postare në gjithsej 22 shtete, si: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali të Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Po ashtu, është funksionale edhe kutia e përhershme postare KQZ-së në Kosovë.

Të ngjashme