KQZ vendos që numërimi i votave të diasporës të bëhet sipas komunave, miraton edhe planin e konferencave për ditët e zgjedhjeve

Prishtinë | 22 Dhj 2025 | 15:22 | Nga Gzim Mujaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që numërimi i votave të diasporës të bëhet në bazë të komunave të Republikës së Kosovës dhe jo sipas shteteve nga ku votojnë qytetarët, raporton Ekonomia Online. Vendimi është marrë në vazhdim të mbledhjes së KQZ-së, pas diskutimeve lidhur me bazën ligjore dhe mundësitë teknike për organizimin e procesit të numërimit.

Në të njëjtën mbledhje, KQZ ka miratuar edhe planin e konferencave për informimin e publikut mbi ecurinë e procesit të votimit për Zgjedhjet Lokale, si për votimin në përfaqësitë diplomatike më 27 dhjetor 2025, ashtu edhe për ditën e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës më 28 dhjetor 2025.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, i cili është edhe udhëheqës i Këshillit për Operacione Zgjedhore, ka shprehur qëndrim ndryshe lidhur me mënyrën e numërimit të votave me postë, duke theksuar se sipas tij ato duhet të numërohen sipas shteteve dhe jo komunave.

“Konsideroj që duke qenë një zonë zgjedhore, numërimi i votave me postë duhet të bëhet në bazë të shteteve prej nga votojnë qytetarët e Kosovës dhe jo në bazë të komunave të Kosovës”, ka thënë Elshani.

Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, sqaroi se baza ligjore dhe kufizimet teknike nuk e lejojnë ndryshimin e mënyrës së numërimit në këtë fazë të procesit.

“Kjo është një çështje që është diskutuar, mbase ka më shumë se 10 ditë që është diskutuar dhe ne kemi marrë një përgjigje prej departamentit, sipas paragrafit 6 neni 18 të rregullores zgjedhore numër 14/2024 theksohet se zarfet me fletëvotime që aprovohen gjatë vlerësimit klasifikohen në kuti të votimit sipas komunave të Republikës së Kosovës. Edhe mbi këtë dispozitë ligjore është dizajnuar edhe platforma që ne e përdorim në zgjedhjet lokale dhe që do e përdorim edhe në zgjedhjet e 28 dhjetor. Këtu ne kemi dhënë një opinion që kjo është e pamundur të bëhet për shkak që duhet të bëhen ndryshime në platformë, dhe ndryshimet në platformë në këtë kohë sa kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve teknikisht nuk mund të bëhet dhe kjo është përgjigje që e kemi marrë prej drejtorit të Departamentit të Teknologjisë Informative Zgjedhore”, tha ai.

Ai ka përsëritur këtë qëndrim edhe më pas gjatë diskutimit, duke shtuar se një qasje e tillë do të ishte më funksionale.

“Kjo do të duhej të bëhej ndarje në bazë të shteteve dhe jo në bazë të komunave… me u ndjek rruga e shteteve edhe e zvogëlon numrin e kutive”, tha ai.

Në vazhdim të mbledhjes dhe me qëllim të informimit për ecurinë e procesit të votimit për Zgjedhjet Lokale, KQZ miratoi planin e konferencave për ditën e zgjedhjeve në përfaqësitë diplomatike më 27 dhjetor 2025 dhe për ditën e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës më 28 dhjetor 2025. 

Më 27 dhjetor 2025, për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike, KQZ do të mbajë 3 konferenca, në këto orare:

•           09:00 – Konferenca e parë: KQZ njofton për fillimin e procesit të votimit në përfaqësitë diplomatike;

•           14:00 – Konferenca e dytë: KQZ njofton për pjesëmarrjen dhe ecurinë e votimit në përfaqësitë diplomatike;

•           20:00 – Konferenca e tretë: KQZ njofton për mbylljen e votimit në përfaqësitë diplomatike në Europë;

•           01:00 – Njoftim për media: Përfundimi i votimit në përfaqësitë diplomatike.

Ndërkaq, në ditën e zgjedhjeve në Republikën e Kosoës, më 28 dhjetor 2025, KQZ do të mbajë 5 konferenca të rregullta, në këto orare:

•           08:00 – Konferenca e parë: KQZ njofton për fillimin e procesit të votimit;

•           11:30 – Konferenca e dytë: KQZ njofton për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në orën 11:00 dhe për ecurinë e procesit zgjedhor;

•           15:30 – Konferenca e tretë: KQZ njofton për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 dhe për ecurinë e procesit zgjedhor deri në atë kohë;

•           19:30 – Konferenca e katërt: KQZ njofton për përfundimin e procesit të votimit, ecurinë e përgjithshme të tij, pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe për fillimin e numërimit të fletëvotimeve;

•           Për kohën e mbajtjes së konferencës së pestë, për publikimin e rezultateve të përmbledhura preliminare të kandidatëve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, KQZ-ja do të njoftojë me kohë.

Të ngjashme