Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi sot është takuar me shefin e ri të zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.
Krasniqi e quan lajm të mirë ardhjen e tij në Kosovë.
“Sot, në selinë e PDK-së, kisha kënaqësinë ta mirëpres shefin e ri të zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav. Pa dyshim, ardhja e ambasadorit Orav në Kosovë, i cili ka një përvojë mbi 30 vjeçare në diplomacinë evropiane, e posaçërisht atë të Ballkanit, është lajm i mirë për vendin tonë”.
Kreu i PDK-së, thekson se bashkë diskutuan dhe ndanë pikëpamjet e tyre për çështje të interesit të përbashkët, në funksion të avancimin e proceseve integruese të Kosovës.
“Për shtetin tonë integrimi euro-atlantik mbetet prioritet i pazëvendësueshëm. Ambasadorit Orav ia konfirmova përkushtimin e plotë të Partisë Demokratike të Kosovës për të kontribuar në thellimin e raporteve tona diplomatike dhe politike, të cilat garantojnë rrugëtimin e sigurt të Kosovës drejt BE-së”, thotë Krasniqi.