Krasniqi: Fjala e Vuçiqit në Mitrovicë, alarm për demokracinë europërendimore

Prishtinë | 11 Sht 2018 | 12:32 | Nga

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, përmes një letre publike drejtuar vendeve të demokracisë euroatlantike i është kundërvënë përpjekjeve të presidentit të Serbisë për të rehabilituar kreun e politikes se gjenocidit serb në Kosovë (dhe në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë), Slobodan Milosheviqit.

Po e botojmë të plotë letrën e Krasniqit.

Gjëja e parë që duhet ta bëjë njeriu politik i kësaj kohe në institucionet e Bashkimit Evropian është: A kanë kujtesë ato institucione për raportet shqiptare e serbe, se paku në këto 30 vjetet e fundit? Është e për vendet e demokracisë Euroatlantike se Millosheviqi në Gazimestan (Kosovë) më 28 qershorin të vitit 1989 pat thënë: “Gjashtë shekuj më vonë (pas Betejës se Kosovës të vitit 1389 nën. J.K.), pra sot, sërish jemi në beteja dhe para betejave. Këto nuk janë të armatosura, edhe pse të tilla ende nuk përjashtohen. Por, pa marrë parasysh se çfarë janë, këto beteja nuk mund të fitohen pa vendosmëri, trimëri dhe vetëmohim, pa këto veçori të mira, të cilat dikur moti ishin të pranishme në Fushë të Kosovës“ (Rilindja”, 29. 06. 1989). Më pas Serbia zhvilloj katër lufta për të krijuar Serbinë e Madhe. Pasojat e atyre luftërave janë të ditura për gjithë botën demokratike e humaniste. Tridhjetë vjet më vone (saktë 29 vjet) në Mitrovicë Vuçiqi tha: “Millosheviqi ishte lider i madh serb, që i kishte qëllimet më të mira të mundshme, por rezultatet ishin shumë më të këqija” (Koha.net, 10 shtator) . Kjo do të thotë, Serbia ka humbur shumë, jo pse e ka pasur liderin e politikave të gjenocidit, liderin që i ka zhvilluar katër luftëra dhe që u ka shkaktuar dhimbje të mëdha popujve të tjerë më të cilët populli serbë ka bashkëjetuar për disa dekada në një ngrehinë siç ishte Federata Jugosllave, por pse politikat e tija nuk i kanë dhënë rezultatet e duhura për krijimin e Serbisë se Madhe ku do të ishin: Një pjesë e Kroacisë, më shumë se gjysma e Bosnjës dhe e Hercegovinës dhe e gjithë Kosova. Vuçiqi nuk e tha asnjë fjalë pendimi për qindra mijëra viktima të atij regjimi gjenocidal, asnjë kërkim falje a keqardhje për dhunimet e shumta, për miliona njerëzish të zhvendosur nga vatrat e tyre, për zjarrëveniet në mijëra fshatra e qytete nga Vukovari, Sebernica deri në Gjakovë, për grabitjet e plaçkitjet e shumta të pasurisë private e publike. As 20 vjet pas lufte, Presidenti i Serbisë “demokratike”, që pretendon integrimin në NATO e BE, as më gjysmë zëri nuk mund ta bëjë një kërkim falje për Krimet e liderit të tij “të madh”. Mbase, arsyeja është se edhe ky ishte pjesë e asaj makinerive vrastare. Çfarë paqe mund të ndërtojnë shqiptarët me serbët me monstrume të tilla politike?!

Vazhdimi i Vuçiqit me politikën e gjenocidit, duke e rehabilituar kriminelin Millosheviq, në vendin ku janë kryer aktet më monstruoze të gjenocidit serb ndaj civilëve të një etnie tjetër në fund të shekullit XX, duhet të jetë kambanë alarmi për Bashkimi Evropian i cili pretendon që në gjirin e vet ta fus shtetin që ka ushtruar gjenocid të përsëritur në Kosovë dhe në hapësirat tjera të ish Jugosllavisë. Këto politika BE-ja dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar do të duhej të kishte të memorializuar në kujtesën institucioneve të BE-së, të OKB-së e të SHBA-së, raportet e shqiptarëve dhe serbëve, më se paku prej vitit 1985/86 (Programi i ASHAS). E në mënyrë të veçantë, përpjekjet e këtyre dy popujve për bisedime mes udhëheqësve të dy popujve për të gjetur një zgjidhje politike në rrugë paqësore. Të gjithë e dimë se ato bisedime me shtytjen ndërkombëtare janë zhvilluar në dekadën e fundit të shekullit XX, në mes Millosheviqit e Rugovës. Patë edhe ndonjë marrëveshje si ajo për arsimin, me ndërmjetësimin e Shën Exhidios, por pa asnjë rezultat. Përvoja ka treguar se ajo filozofi politike e kuptonte vetëm gjuhën e forcës e jo atë të politikës paqësore.

Kur ato bisedime dhe përpjekjet jo të plota të BE-së për zgjidhjen e konfliktit të ngrirë në Kosovë, ndonëse shqiptarët ishin larguar nga e gjithë jeta politike e publike (administrata, arsimi, shëndetësia, NP e Shoqërore etj.) dhe shqiptarëve u kishin mbetur rruga e ikjes, e skllavërisë (nënshtrimit) ose ajo e luftës çlirimtare. Nuk ka asnjë dyshim, shumica e shqiptarëve, në krye me Ibrahim Rugovën nuk e deshën luftën (edhe pse edhe prej tyre tani 20 vjet pas luftës ka shumë luftëtarë), shqiptarët, jo pa vështirësi e zgjodhën rrugën e luftës së armatosur për liri e çlirim. Edhe pse në Kosovë gjatë gjithë viteve të pas Luftës se Dytë Botërore ka pasur të organizuar një Lëvizje Kombëtare për Çlirim edhe tehu i saj që topitur shumë nga masiviteti i Lëvizjes Pacifiste të njohur si LDK. Në një situatë të tillë, nga gjiri i Lëvizjes Kombëtare për Çlirim del në skenë Adem Jashari, Komandanti Legjendar i UÇK-së me Formacionin e tij të armatosur i cili më vonë do të quhet: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (shkurt UÇK). Fillimisht këtij formacioni ju bashkuan anëtarë e simpatizant të LKÇ e njohur si Lëvizja Popullore e Kosovës, më vonë UÇK-së ju bashkuan të gjithë ata që nuk mund ta duronin robërinë e egër serbe dhe ishin të gatshëm të luftojnë për çlirim.

Kur në fund të shkurtit dhe fillim të marsit 1998 filloj lufta, në Kosovë përsëri BE-ja kërkonte nga dy palët që të përmbaheshin, kur ishte më shumë se e qartë (pas Kroacisë e Bosnjes), se shkaktari edhe i luftës në Kosovë ishin politikat e gjenocidit që i udhëhiqte regjimi i Beogradit ndaj jo serbëve e sidomos shqiptarëve. Nuk kishte njeri politik në Evropë e Botë që nuk e dinte se konflikti më shqiptarët ishte më i vjetri në hapësirën e ish Jugosllavisë (nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913), por përpjekjet serioze për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për shumicën shqiptare në Jugosllavi nuk pati. Madje të gjithë e dinin se kur fillon lufta, makineria ushtarake e policore serbe, luftën nuk e orientonte ndaj njerëzve të armatosur, por ndaj popullsisë civile. Dhe kështu ndodhi edhe në Kosovë, të cilën regjimi i Beogradit dëshironte ta kolonizoj më serbë nga Kroacia e Bosnja, por paraprakisht duhej të dëboheshin dhunshëm shqiptarët. Kur lufta eskaloj viktimë kryesore po bëhej popullsia civile, burra, gra e fëmijë, deri edhe njerëzit e palëvizshëm, pasuria e tyre, fshatra të tëra ishin nën zjarrin e shkaktuar nga makineria ushtarake e policore serbe. Vetëm pas këtyre akteve filloi një interesim më i madh i komunitetit ndërkombëtar për ta ndaluar luftën në Kosovë, por pa ndonjë ide të qartë sesi do të zgjidhej kjo çështje. Kështu erdhi deri të Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë në Francë e cila jo vetëm që si ndali fatkeqësitë e popullit shqiptar, por për një kohë edhe i shtoj ato.

Bisedimet e Rambujesë u thirren nga Komuniteti Ndërkombëtar dhe u zhvilluan nën drejtimin e Grupit të Kontaktit. Pas dy raundeve të bisedimeve në Rambuje (shkurt 1999) dhe Paris (mars 1999) dhe dokumentit përfundimtar, Serbia nuk e pranoi zgjidhjen dhe nuk e nënshkroi marrëveshjen. Edhe në ketë marrëveshje, si në marrëveshjet e mëparshme, Serbie nuk e njohu rezultatin e bisedimeve, ndërsa shqiptarët e patën bërë një kompromis të madh, por nga ai kompromis na shpëtoj kokëfortësia e Millosheviqit. Nuk ka asnjë dyshim, situatën do ta shpejtojnë Bombardimet 78 ditësh të NATO-s. Bombardimet e NATO-s në fillim e egërsuan Serbinë millosheviqiane e cila filloj shpërnguljen masive të një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Pas kapitullimit të Serbisë të imponuar nga NATO në Kosovë u vendos Administrimi Ndërkombëtar krejt deri më 17 shkurt 2008. Pas 7/8 viteve të Administrimit Ndërkombëtar, të njohur si UNMIK, filluan bisedimet e Vjenës për Statusit Përfundimtar të Kosovës.

Bisedimet e Vjenës u udhëhiqen nga emisari special i Sekretarit të Përgjithshme i OKB-së, Mati Ahtisari dhe nën mbikëqyrjen e Grupit të Kontaktit. Edhe në këto bisedime ishin prezent të tri palët, përfaqësuesit e Serbisë, të Kosovës dhe pala ndërkombëtare me prezencën e BE-së, SHBA-së dhe të Rusisë. Nga ato bisedime ka rezultuar: Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës. Me idenë që Këshilli i Sigurimit ta shfuqizonte Rezolutën 1244 dhe me një Rezolutë të re, ta njihte Kosovën shtet të pavarur sovran dhe demokratike. Në ketë mënyrë Republika e Kosovës automatikisht do të bëhej anëtare e OKB-së. Përsëri pala serbe nuk e njohu Dokumentin Përfundimtar i njohur edhe si Dokumenti i Ahtisarit, KS nuk e shfuqizojë Rezolutën 1244 për shkak të vetos Ruse. Pas këtyre pengesave, Kosova në koordinim të plotë më Komunitetin Ndërkombëtar e zgjodhën rrugën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve të Kosovës dhe kjo ndodhi më 17 shkurt 2008.

Pas shpalljes së pavarësisë, filluan njohjet për shtetin e ri. Serbia e kundërshtoi dhe e dërgoj lenden në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kjo e fundit në gusht të vitit 2010 bie vendimin se Pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me Ligjin Ndërkombëtar. Në vjeshtën e atij viti, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nxjerrë Rezolutën për vazhdimin e bisedimeve teknike me mbikëqyrjen e BE-së. Pas një viti, pa ndonjë arsye këto bisedime u kthyen në bisedime politike të cilat kanë hyrë në vitin e gjashtë dhe nuk pritet përfundimi i tyre, përkundrazi më 9 shtator 2018, Vuçiqi riaktualizoj idenë e Millosheviqit, dhe nga ajo ide Serbia i nisi katër luftëra të përgjakshme. Më 9 shtator në Mitrovicë ishin prezent vetëm simbolet e shtetit të huaj, të Serbisë fashise te Vuçiqit.

Të gjitha këto janë dëshmi se Serbia as në këto bisedime që po zhvillohen në Bruksel, nuk do t’i pranoj rezultatet e tyre edhe përkundër vazhdimit të kompromiseve nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në asnjë mënyrë nuk është dashur të jetë pjesë e bisedimeve, pasi kjo kompetencë gjatw gjithw këtyre viteve ishte kryekreje çështje e Qeverisë se Kosovës. Nëse do të arrihej marrëveshja, ratifikimi i saj duhet të bëhet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e deputetëve. Madje kjo ishte rruga e Marrëveshjes së 19 prillit 2013, e cila marrëveshje i rikthej pretendimet e Serbinë ndaj Kosovës.

I thash të gjitha këto në mënyrë kronologjike si një lloj përkujtuesi për BE-në e cila duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë, se me politikat e saja të deritashme të gjenocidit nuk mund të bëhet pjesë e BE-së. Të gjithë duhet ta vërejmë se mos dënimi i Serbisë për Gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe amnistia pa kusht e saj, vazhdon të mbaj të gjallë në Serbi politikën e luftës e të gjenocidit.

BE-ja duke qenë në kontinuitet pjesë e bisedimeve dhe e kompromiseve e dinë më se miri se çdo kompromis i ri i palës së Kosovës, veçse e vazhdon dhe e thellon jo funksionalitetin e institucioneve të shtetit të pavarur, sovran e demokratik të Kosovës. Madje jo vetëm kaq, por i mban të gjalla politikat e gjenocidit serb dhe politikat luftënxitëse serbe për krijimin e Serbisë së Madhe. Gjatë këtyre viteve, BE-ja përmes EULEX-it i ka pasur të gjitha mundësit që të shoh jo funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Praktika e gjenocidit e të evazionit serb mbi Kosovën se bashku me defunksionalizimit të shtetit duhet të ndërpriten! Përvoja e tridhjetë viteve të fundit ka treguar më së miri se çilen gjuhë e kuptojnë politikanet e latë të Beogradit!

Vërtetë BE-ja duhet të analizojë mirë fjalimin e Vuçiqit, për ketë gjë nuk i mungojnë kapacitetet për analiza deri në imtësi! Për ndryshe në Ballkan konflikti po mbetet i hapur! – thuhet në letrën e Jakup Krasniqit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme