Krasniqi komenton lirimin e Naser Kelmendit nga paraburgimi

Prishtinë | 28 Qer 2017 | 20:08 | Nga

Gjykata Themelore ka vendosur që Naser Kelmendi, i akuzuari për vrasje të rëndë, krim të organizuar dhe trafikim të drogës nga sot të mbrohet në liri.

Këtë gjë e ka konfirmuar përmes një statusi në Facebook, avokati i Kelmendit, Besnik Berisha.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi i cili prej muajsh është duke qëndruar në arrest shtëpiak i akuzuar për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

“Derisa Naser Kelmendi që akuzohet për krime të organizuara të nivelit ndërkombëtar, u lirua sot që të mbrohet në liri, neve aktivistëve të pafajshëm na u vazhdua po sot arresti edhe për 2 muaj. As edhe një provë të vetme nuk e paraqitën tash e gati 1 vit prej se po mbahemi. Pafajësia jonë u vërtetua me dhjetëra herë, me prova e me fakte. As edhe njëherë nuk e thyem arrestin siç vepronin të arrestuarit e Klanit Pronto të cilët prapë liroheshin. Por këto nuk u bëjnë përshtypje prokurorëve e gjykatësve të kapur nga Klani Pronto”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në Facebook.

Krasniqi thotë se ky është episodi i fundit i regjimit kriminal.

“Ama le ta mbajnë mirë në mend që ky do të jetë një prej episodave të fundit të regjimit të tyre kriminal. Episodi i fundit për ta, do të jetë prapa grilave”, ka shkruar Krasniqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme