Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, duke iu referuar fjalimit të presidentit Hashim Thaçi dje në Tiranë, ka pyetur se si është e mundur që të zgjerohet territori i Kosovës pa u prekur kufijtë e saj.
Sipas Krasniqit, ajo çfarë u tha nga Presidenti Thaçi në Tiranë ishte fyerje e inteligjencës të atyre që e dëgjonin e duartrokisnin fjalimin patriotik.
“Nuk ka më lehtë sesa të ligjërosh me afsh patriotik para një mase që 70% e saj janë analfabet funksional, të cilët lehtë ‘mashtrohen’ nga fjalët e mëdha të thëna në vetën e parë?! Unë! Unë! Unë”.
“Universitetet e shumta të periudhës se “demokracisë” (publike e private) në Shqipëri e Kosovë na kanë ndihmuar që të shumëzojmë numrin e analfabetëve funksional”.
“Një mase të tillë, mjafton t’ua thuash në fillim një fjali të mbushur si një tullumbace me patriotizëm patetik, ‘se unë nuk lejoj (e thënë gjithnjë në veten e parë) pa kaluar mbi trupin tim, te ndryshohet kufiri i Kosovës’”.
“Dhe pastaj e njëjta fjali demantohet, jo vetëm një herë, më të gjitha fjalitë tjera në vazhdim, fjali që e konfirmojnë jo korrigjimin, por, ‘zgjerimin’ në një anë pa e cekur shkurtimin e madh që mund t’i ndodhë anës tjetër”.
“Zgjerimi a nuk është ndryshim i kufirit? Nuk do të preken kufijtë, por do të zgjerohet Kosova?! Çfarë mrekullie! As zgjerimi i Kosovës nuk qenka ndryshim i kufirit ekzistues? Kjo që dëgjuam dje në Tiranë, thënë më se buti ishte fyerje e inteligjencës të atyre që e dëgjonin e duartrokisnin fjalimin patriotik! Por, edhe të gjithë atyre që ju dedikohej lajmi gjithandej hapësirës shqiptare si një super lajm”.
Postimi i plotë i ish Kryeparlamentarit Krasniqi në Facebook: