Në katër paraqitjet e para për Lausannen, Jetmir Krasniqi mbuloi katër pozita të ndryshme në fushë. Ndodhi kjo në fillim të edicionit 2014\15, kur futbollisti po bënte hapat e para në nivelin serioz.
Krasniqi, tani 23-vjeçar, vazhdon të mbulojë shumë pozita, varësisht prej kërkesave të trajnerëve dhe prej nevojave të skuadrës, shkruan sot “Koha Ditore”. Dhe prej kësaj shumanshmërie të tij tashmë do të përfitojë edhe përfaqësuesja e Kosovës në futboll.
Krasniqi tani luan për Luganon në Superligën e Zvicrës. Është ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, për ndeshjet me Shqipërinë dhe Bregun e Fildishtë që zhvillohen javën tjetër në Zvicër.
“Kam pritur që të ftohem nga Kosova, por kaq herët jo. Jam gëzuar shumë dhe është një realizim i një ëndrre. Është gjë shumë e madhe të luaj për përfaqësuesen e vendit tënd. Unë në fakt gjithnjë kam dashur të luaj për Kosovën. Fillimisht kam dashur të luaj për Kosovën e Zvicrën, por me kalimin e kohës, disi natyrshëm, dëshira që të luaj për Kosovën ka shkuar duke u rritur”, ka thënë Krasniqi në një bisedë për gazetën.