Krerët e shtetit: 17 Shkurti 2008 arritja më e madhe historike, Republika s’ka qenë asnjëherë më e fortë

Prishtinë | 17 Shk 2024 | 08:55 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë uruar 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa vlerësuan përpjekjet rezistente për një Kosovë të pavarur, krerët shtetëror u shprehën falënderues edhe ndaj aleatëve ndërkombëtarë “që ndihmuan në ndërtimin e shtëpisë sonë të përbashkët – Republikë e Kosovës”, raporton Ekonomia Online.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova sot shënon të arriturën më të madhe historike të popullit të saj, duke shtuar se në këtë ditë përkujtojnë sakrificën e të rënëve për liri.

“Sot shënojmë të arriturën më të madhe historike të popullit tonë, shënojmë ditën kur shteti ynë u shpall i pavarur, sovran, i lirë e demokratik dhe këto 16 vite të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe të vendosur natyrisht për të treguar para botës jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj por është edhe kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufirit të saj. Dua t’i kujtoj të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre që ne sot jetojmë të lirë, të gjithë dëshmorët e kombit të gjithë martirët e republikës sonë. Në këtë ditë sërish e kujtojmë vizionin e arkitektin e pavarësisë, presidentin Ibrahim Rugova dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari dhe gjithë ushtarëve të UÇK-së në krye me kryekomandantin legjendar Adem Jashari”, ka thënë Osmani pas ngritjes së flamurit.

Kryeministri Albin Kurti, shprehu mirënjohje të veçantë për partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, për të cilët tha se do t’u jenë përgjithmonë falënderues.

Kurti tha se ky përvjetor e zë Kosovën të fortë ndërkombëtarisht, duke përmendur fitimin e liberalizimit të vizave.

“Para një muaji ne kujtuam 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, pas tri javëve përkujtojmë 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ndërkaq pas 4 muajve do të shënojmë 25- vjetorin e çlirimit të Kosovës. Pra, rezistenca e çlirimi i paraprijnë pavarësisë të cilën e gëzojmë sot dhe e forcojmë nëpërmjet institucioneve të shtetit, zhvillimit të ekonomisë, progresit demokratik e shoqëror. Ky 16-vjetor e zë Kosovën me pasaportën e saj të fuqishme si asnjëherë më parë, duke mundësuar që qytetarët të lëvizin lirshëm në 35 vende. Gjithashtu, edhe në aspektin ekonomik e demokratik edhe në aspektin e sigurisë e të integritetit, mund të themi e duhet të themi që Republika jonë e përbashkët asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë e sigurt, e lirë dhe demokratike. I bashkëngjitëm përkujtimit të presidentes edhe kryeparlamentarit për të gjithë heronjtë, dëshmorët, martirët, për ata të cilët u flijuan e sakrifikuan, punuan e u angazhuan për Republikën e Kosovës, për Pavarësinë tonë. Duke i përkujtuar ata, ne ia përkujtojmë vetes edhe çfarë çmimi të lartë kemi paguar për të mbërritur këtu, por njëkohësisht edhe rrugën të cilën do ta vazhdojmë, sigurisht, drejt integrimeve evropiane e euroatlantike, për çfarë një falënderim i veçantë u shkon partnerëve tanë, aleatëve tanë ndërkombëtarë që na mbështetën e na ndihmuan”, ka thënë ai.

Urime ka pasur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka falënderuar ushtarët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, “veprimtarët politikë e miqtë ndërkombëtarët që dhanë gjithçka për Pavarësinë e Kosovë”.

Konjufca tha se sot është dita më e rëndësishme e shtetit tonë.

“Sot është ditë e festimit dhe reflektimit dhe falënderimi shkon për dëshmorët dhe martirët që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit, dhe veprimtarët e aktivistët politik që shteti jonë të krijohet, dhe padyshim për miqtë tonë ndërkombëtarë që të lind shteti i Kosovës”, tha Konjufca.

Të ngjashme