Mitropoliti malazezo-anadetas i Kishës Ortodokse Serbe, Amfillohije, ka thënë se liderin e Iniciativës Qytetare SDP Oliver Ivanoviq e ka vrarë “fryma vëllavrasëse”, me çka edhe ai e pranoi se serbë janë autorë të vrasjes në Mitrovicë para më 16 janar të këtij viti, transmeton Gazeta Express.
“Fryma e pabesisë, e vëllavrasjes dhe kundër Zotit, që është gjithashtu e pranishme në Mal të Zi”, e ka vrarë Oliver Ivanoviqin, tha Amfillohije në predikimin me rastin e gjashtë javëve të vdekjes së Ivanoviqit në kishën në Doljani afër Podgoricës, raporton b92.net.
Sipas priftit kontrovers, pikërisht nga ky vend, Doljani, i ka rrënjët familja e politikanit të vrarë serb nga Mitrovica.
Sipas Amfillohijes, edhe “të gjitha rrëfimet për grushte shteti në Mal të Zi” i kanë rrënjët në atë frymë të “pabesisë, vëllavrasjes dhe blasfemisë”.
Amfillohije është i njohur për qëndrimet e tij ekstremiste nacionaliste serbe, siç është shpallja e shumë politikanëve serbë për “tradhtarë të çështjes kombëtare”. Ndër të anatemuarit nga ky prift është edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të cilin e akuzon për tradhti kombëtare për shkak të nisjes së dialogut brendaserb për Kosovën. Gjithashtu, është i njohur edhe për deklaratat se vrasja e ish-liderit serb Zoran Gjingjiq, për të cilën akuzohen struktura para-policore serbe, ka qenë “vullnet i Zotit”.