Masat e reja fiskale që kanë hyrë në fuqi nga data 1 janar 2018 do të kenë ndikim pozitiv në sektorin privat në vend, si dhe do të ndikojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovar krahasuar me ata të rajonit. Kjo u tha sot gjatë tryezës së organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Ministrin e Financave, Bedri Hamza, ku të pranishmit patën rastin të njoftohen nga afër me përmbajtjen e ndryshimeve në kornizën fiskale dhe planet e ministrisë për vitin në vijim.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane, u shpreh i kënaqur që tanimë një iniciativë shumëvjeçare e Odës Amerikane për krijimin e politikave të tilla fiskale është realizuar, gjë që ka hapur rrugën për një rritje të përshpejtuar të sektorit privat, veçanërisht në sektorët e prodhimit dhe tekonologjisë së informacionit dhe komunikimit. Ai theksoi se Oda Amerikane mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar me Ministrinë e Financave dhe institucionet tjera në iniciativa që kanë për qëllim përmirësimin e situatës së sektorit privat në vend.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, shprehu bindjen e tij se arritja e normave të larta të zhvillimit ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës është e mundur vetëm përmes sektorit privat në vend. Në këtë drejtim, ai sqaroi se politikat e reja fiskale, përfshirë këtu lirimet doganore në lëndë të parë dhe pajisje të TIK, por edhe lirimet e akcizës për lëndën djegëse të përdorur në procese të prodhimit, kanë për synim të përmirësojnë mjedisin e të bërit biznes në vend, në mënyrë që kompanive në sektorin privat të ju krijohen parakushtet e nevojshme për t’u zhvilluar dhe për të konkurruar në nivel rajonal dhe më gjerë.
Poashtu Ministri Hamza theksoi se janë duke punuar që të krijohen parakushtet e nevojshme ligjore dhe institucionale që të fillohet me mbledhjen e TVSH-së në brendi të vendit, hap ky që do të përmirësonte likuiditetin e kompanive në sektor privat.Ai sqaroi se Ministria ka identifikuar nevojën e ndryshimeve edhe të ligjeve tjera tatimore, në mënyrë që të adresohen disa sfida dhe pabarazi ekzistuese në treg.
Pjesëmarrësit në këtë tryezë patën rastin të diskutojnë me Ministrin e Financave edhe mbi zhvillime tjera që ndikojnë në sektorin privat, përfshirë këtu pagën minimale dhe luftimin e informalitetit.