“Krijuesit e së Ardhmes: Vajzat në TIK 2026”, Haxhiu: Nëse hasni vështirësi, mos u dorëzoni, ngase aty fillon forca juaj

Prishtinë | 22 Pri 2026 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Vajzat e reja janë e ardhmja dhe se me punë të njëjtat kanë arritur gjithmonë, kurse nëse hasni vështirësi, mos u dorëzoni, ngase aty fillon forca juaj.

Kështu ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherit kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, në konferencën “Krijuesit e së Ardhmes: Vajzat në TIK 2026”, raporton Ekonomia Online.

”“Kur bëhen bashkë industria, akademia, institucionet dhe shoqëria civile, atëherë e kuptojmë se si shoqëri po e kuptojmë gjithnjë e më shumë se sfidat e mëdha nuk përballen ndaras, por vetëm kur jemi bashkë. Tema e sivjetme, “Inteligjenca Artificiale për Zhvillim: Vajzat që formësojnë të ardhmen digjitale”, është tema e kohës sonë. Teknologjia ka hyrë tashmë në çdo pjesë të jetës. Ka ndryshuar mënyrën se si mësojmë, si punojmë, si komunikojmë dhe si i kryejmë punët tona të përditshme. Me zhvillimin e inteligjencës artificiale, ky ndryshim po merr ritëm edhe më të madh. Tregu i punës po ndryshon, profesionet e shumta po përshtaten, disa po shuhen, të tjera po linden. Në kohë të tilla përparojnë vendet që arsimin, dijen dhe teknologjinë i kthejnë në përparësi kombëtare.

Ne jemi vend i ri, me shumë të rinj e të reja që duan të ecin përpara. Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë, shumë gjëra i kemi ndërtuar vetë me mundin tonë. Por prej kësaj kemi nxjerrë forcë, kemi nxjerrë dije, por po ashtu edhe besim se mund të ngrihemi sa herë që përballemi me sfida. Dikur pasuria e kombeve matej me tokë, me miniera, me fabrika – natyrisht që edhe këto janë shumë të rëndësishme – por sot ajo po matet gjithnjë e më shumë me dije, me inovacion dhe me aftësinë për të krijuar.

Kjo është mundësia jonë, por asnjë vend nuk ecën përpara duke lënë pas gjysmën e vetes. Prandaj përfshirja e vajzave dhe grave në teknologji nuk lidhet vetëm me barazinë – gjithsesi me barazinë, por jo vetëm me barazinë. Lidhet me zhvillimin e ekonomisë, me ecjen përpara të shoqërisë dhe me të ardhmen e vendit tonë. Gratë dhe vajzat shqiptare në çdo kohë kanë ditur ta gjejnë rrugën e tyre. Me punë, me dije e me qëndresë kanë mbajtur familje, kanë ndërtuar shoqëri dhe kanë hapur shtigje të reja, edhe kur ka qenë pothuajse e pamundur dhe shumë e vështirë. Edhe sot kjo frymë i karakterizon ato.

Kemi plot shembuj që dëshmojnë këtë të vërtetë: Drina Kusari nga Gjakova, e emëruar para pak javësh në një nga pozitat më të larta drejtuese në Microsoft, na tregon se prej Kosovës mund të arrihet deri në majat e botës së teknologjisë. Qamrie Mazreku nga Malisheva, e angazhuar si inxhiniere softuerike në Netflix, dëshmon se talenti ynë mund të gjejë vend në kompanitë më të mëdha në botë. Mira Murati, ndër emrat më të njohur të inteligjencës artificiale sot, është tjetër dëshmi se dija dhe përkushtimi nuk njohin kufi.

E përveç këtyre emrave, ka shumë gra e vajza të tjera që ndoshta ne edhe mund të mos i shohim, por që me punën e tyre po lënë gjurmë në universitete, po lënë gjurmë në kompani, në start-upe, në laboratorë dhe në institucione. Çdo arritje e tyre është një derë e hapur për vajzat që vijnë pas tyre. Këto histori na tregojnë se talenti ynë mund të arrijë lart kur gjen mbështetje dhe kur gjen mundësi.

Tani dua t’u drejtohem veçanërisht vajzave që janë sot këtu në këtë konferencë. Rruga para jush nuk do të jetë gjithmonë e lehtë. Do të hasni në njerëz që do të dyshojnë në ju, që do t’ju paragjykojnë, madje edhe të tillë që ju thonë që kjo fushë nuk është për juve. Do të ketë lodhje, pasiguri, do të ketë edhe sprova. Por këto janë vështirësi të përkohshme dhe nuk e përcaktojnë asesi aftësinë tuaj.

Mos prisni që gjithçka të rregullohet për ta hedhur hapin e parë, sepse rruga shpesh qartësohet vetëm kur ecim. Mos mendoni se teknologjia i takon dikujt tjetër; ajo ka nevojë për dijen tuaj, për idetë tuaj, por edhe për guximin tuaj. Nëse dikush ju nënvlerëson, përgjigjuni me punë. Nëse rruga ju duket e gjatë, ecni hap pas hapi. Nëse hasni vështirësi, mos u dorëzoni, ngase aty fillon forca juaj.

Blerim Olluri, rektor i kolegjit AAB tha se vajzat nuk janë vetëm pjesëmarrëse por udhëheqin transformimin digjital.

“Reshma Saujani: vajzat duhet t’i mësojmë të jenë të guximshme, jo perfekte.

Ndërsa Sandberg na kujton: ajo që duhet të bëjmë është të sigurohemi që gratë të mos jenë vetëm pjesë e të ardhmes së teknologjisë, por të jenë lidere udhëheqëse të tyre.

Këto dy mesazhe, në thelb na ftojnë të rimendojmë rolin e vajzave dhe grave në shoqërinë digjitale dhe të veprojmë me guxim për ta ndryshuar atë.

Pikërisht kjo frymë na ka mbledhur sot këtu. Është një nder me të vërtetë dhe kënaqësi t’ju mirëpresim në këtë konferencë të rëndësishme: Future Makers – Girls in ICT.

Takimi i sotëm është më shumë se një konferencë. Ai është një deklaratë qëllimi, pasqyron një angazhim të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme ku inovacioni është gjithëpërfshirës, ku teknologjia i shërben njerëzimit dhe ku vajzat tona nuk janë vetëm pjesëmarrëse, por udhëheqëse në transformimin digjital të shoqërive tona.

Ne jetojmë në një epokë të përcaktuar nga zhvillimi i shpejtë teknologjik, ku inteligjenca artificiale, platformat digjitale dhe teknologjitë në zhvillim po riformësojnë ekonominë, institucionet dhe jetën tonë të përditshme,” tha Olluri.

Të ngjashme