Kritika ndaj ish-Qeverive se si menaxhuan me Telekomin, Thaqi e bën Kurtin të qeshet kur ankohet për gazetarët

Prishtinë | 31 Dhj 2025 | 11:44 | Nga Ekonomia Online

Pas vizitës në Postën e Kosovës, kryeministri në detyrë Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizituan edhe Telekomin e Kosovës, nga ku hodhën akuza ndaj ish-qeverive të kaluara për mënyrën se si e kanë menaxhuar këtë ndërmarrje, duke i vënë merita për ndryshimet e bëra gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

Mirëpo, aty u pa edhe një disponim pozitiv i Kryeshefes së Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, dhe i kryesueses së Bordit, Saime Thaqi, ndonëse kjo e fundit duket se nuk i ka pëlqyer disa raportime të mediave, duke u ankuar se gazetarët nuk po iu ndihmojnë nganjëherë.

Kjo qasje e saj bëri që të qeshte i gjithë “kori”, në krye me Albin Kurtin, i pasuar nga Artane Rizvanolli dhe edhe nga Hana, e cila ironikisht lëshoi deklaratën: “Shpresojmë të na ndihmoni në të ardhmen, sepse Vala është e juaja, është e Kosovës”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se tani Vala është qind për qind e Kosovës.

“Tash Vala e Kosovës është qind për qind e Kosovës, edhe në prefiks, edhe në rrjet. Operatori ynë publik, pa ndërmjetësim, do të bëhet partner i operatorëve të ndryshëm në botë. Falënderoj drejtoreshën Hana, pastaj kryesuesen e Bordit Thaqi dhe të gjithë ata që kontribuuan kaq shumë – një kontribut mbase as përafërsisht nuk njihet sa është i madh, por që e kanë gjithmonë vlerësimin e Qeverisë së Republikës dhe mbështetjen tonë të parezervë”, tha ndër të tjera ai.

Fjalën para gazetarëve, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e nisi me humbjet e akumuluara që Telekomi i Kosovës kishte para qeverisjes së LVV-së.

“Telekomi i Kosovës, para qeverisjes sonë, ka pasur rreth 150 milionë euro humbje të akumuluara, ndërsa në më pak se tri vitet e fundit, tashmë deri në tremujorin e tretë të këtij viti, i ka të akumuluara 21 milionë euro fitim, ndërsa deri në fund të vitit pritet t’i ketë së paku 25 milionë euro fitim. Kjo ka qenë pak e besueshme, apo aspak e besueshme, për shumë njerëz. Jam shumë krenare dhe e lumtur me gjithë punën që ka bërë Telekomi i Kosovës”, tha ajo.

Rizvanolli tentoi të sqarojë deklaratat për ndërhyrjen e Qeverisë në Telekom.

“Në opinionin publik ka kritika apo dilema për suksesin e Telekomit, duke thënë se suksesi është falë përkrahjes së Qeverisë. Këtu janë dy gjëra për t’u cekur. Kredia nuk është subvencion. Edhe në pasqyrat financiare, kush i njeh sadopak ato, e di që kredia nuk reflektohet si e hyrë dhe se fitimi nuk vjen nga kredia. Sigurisht që kredia nga Qeveria mundëson investime që kthehen në të hyra, por fitimi nuk është rezultat i drejtpërdrejtë i kredisë.

Gjëja e dytë është se përkrahja e Qeverisë, në çfarëdo forme që të jetë, nuk mund të konsiderohet si diçka prej së cilës duhet të frikësohemi, të mbrohemi apo të justifikohemi. Në të kaluarën, shpesh nuk keni mundur të bëni thirrje me Valën, ndërsa sot, falë punës së madhe, rrjeti funksionon. Kjo nuk ka qenë rastësi, por rezultat i ndërhyrjeve të drejtpërdrejta politike që në të kaluarën kanë çuar në humbje të mëdha për shkak të mungesës së investimeve dhe kontratave të dëmshme. Vetëm kontrata me Z-Mobile i ka kushtuar Telekomit rreth 62 milionë euro në arbitrazh dhe rreth 100 milionë euro në fitime të humbura.

Prandaj, pse ta mos e përkrahim Telekomin, që është pronë e Republikës së Kosovës dhe e popullit të Kosovës, për ta nxjerrë nga humnera në të cilën ka ardhur jo vetë, por si pasojë e ndërhyrjeve politike të së kaluarës. Nuk është diçka për të cilën duhet të kemi dilema morale si shoqëri dhe si Qeveri. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë punuar në Telekom për gjithë këto vite”, tha ajo.

Ndonëse nuk deshi ta zgjasë, duke thënë se konferencën e fundvitit e kishin mbajtur ditë më herët, kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana, falënderoi Kurtin për mbështetjen, duke mos dashur të flasë për sfidat.

“Ne veçse kemi pasur mbylljen e vitit për gazetarët. Ju uroj një vit të mirë, me shumë suksese. Nuk po flasim për sfida. Punën e kemi detyrë, obligim dhe përgjegjësi. Ju falënderojmë shumë për mbështetjen dhe mirëkuptimin. Është kuptuar esenca se vetëm me punë, përgatitje dhe ndihmë konkrete në kredi, të cilat jemi duke i kthyer, arrihen rezultatet”, tha ajo.

Edhe kryesuesja e Bordit, Saime Thaqi, u pa e entuziazmuar, e cila me një kritikë ndaj gazetarëve bëri që Kurti dhe të tjerët të qeshnin.

“Nuk gjej fjalë për t’u shprehur, ndoshta edhe për ta lavdëruar stafin e Telekomit. Kur kemi ardhur si Bord, unë kam pasur fatin të jem edhe në bordin e vitit 2021. Telekomin e kemi gjetur në gjendje shumë të rëndë, me 14 departamente, ndërsa tash, me strukturë të re, funksionon me katër departamente. Është dashur që çdo kontratë, çdo dokument, të shfletohet faqe pas faqe, me orë të tëra pune. Falënderoj menaxhmentin që i ka realizuar të gjitha instruksionet e Bordit. Na mbetet neve të vazhdojmë edhe më tutje me këto rezultate. Në çdo sfidë ka dy mundësi dhe për çdo sfidë që na paraqitet, ne jemi të gatshëm. Ju falënderoj juve si media që na keni përcjellë – ndonjëherë na keni ndihmuar, e ndonjëherë jo”, deklaroi ajo.

Për pjesën e gazetarëve nuk mbeti e vetme, pasi Hana ndërhyri duke thënë: “Shpresojmë të na ndihmoni në të ardhmen, sepse Vala është e juaja, është e popullit të Kosovës”.

Të ngjashme