Fillimi i mandatit të dytë, ose Trump 2.0 siç preferojnë ta quajnë disa ka nisur me dinamika të reja dhe më shumë të papritura në marrëdhëniet bilaterale, ndërsa vëmendja kryesore mbetet konflikti në Ukrainë. Megjithatë, një gjë që mund ta hasim prapë e që njihet si një konstante tek zoti Trump, një tipar personal që nuk ndryshon kurrë është tendenca e tij për reciprocitet tregtar dhe përdorimi i çështjeve tarifore si mjet politikë.
Me pak fjalë, për administratën Trump qëllimi justifikon mjetet.
Jo rastësisht, këndvështrimi kryesor i zotit Trump për marrëdhëniet bilaterale janë balancat tregtare apo reciprociteti.
Si zakonisht, për çështjen e reciprocitetit tregtar treguesi kryesor mbeten statistikat, apo përqindja e tarifave për shërbime dhe mallra. Pra, nëse ato janë të favorshme apo të pafavorshme për produktet amerikane, duke marrë parasysh koston e prodhimit, transportin, taksat shtesë, e kështu me rradhë.
Nëse këtu hasim mospërputhje numerike, apo nëse kemi një disbalancë tregtare ‘vis a vis’ atëherë në plan të parë për zotin Trump mbetet zbatimi i tarifave ndaj vendeve përkatëse për të arritur, siç e thotë ai vetë reciprocitetin tregtar. Kjo mbetet njëra ndër mënyrat e tij për ta bërë ‘Amerikën të madhe përsëri’ sipas sloganit të famshëm parazgjedhorë.
Por çfarë fshihet konkretisht pas paralajmërimeve tarifore që priten të hyjnë në fuqi më 2 Prill, dhe sa do të ndikojnë ato në aspektin makroekonomik ?
Rritja e tarifave si mjet politik për të negociuar me vendet fqinje, ose me ato vende që karakterizohen si 'vende të komplikuara' nuk është diçka e panjohur në qarqet ekonomike apo diplomatike.
Tarifat për mallrat, të cilat në thelb janë taksa shtesë për prodhuesit dhe konsumatorët mbeten e kundërta e asaj qe njohim si ‘tregu i lirë’ për të cilin themeluesi i ekonomisë liberale, Alan Smith njihet botërisht sot.
Vlen të theksohet se nuk është zoti Trump ai që e shpiku këtë metodë e cila po
perceptohet si ndëshkuese tregtare.
Në fakt, ishte presidenti Regan ai që filloi me masa tarifore për të mbrojtur industrinë e çelikut në SHBA. Ndërsa presidenti Trump bëri të njëjtin akt në mandatin e tij të parë, gjë për të cilin kam shkruar gjerësisht në atë kohë në ‘Ekonomiaonline’ .
Megjithatë, kësaj rradhe kemi casje më ekspansioniste se herën e kaluar nga
administrata e re amerikane ku pothuajse çdo produkt tregtar përfshihet në tarifa shtesë. Nga industria e automjeteve tek produktet e teknologjisë së avancuar, përfshi këtu produktet bujqësore, asnjë sektor nuk ka ndonjë privelegj sepse administrata e re kërkon një gjë me ngulm, e ajo është reciprociteti tregtarë.
Ajo që duket e pazakontë kësaj rradhe është se z.Trump nuk po zgjedh vetëm shtetet e caktuara për ta mbrojtur industrinë specifike, sic konsiderohet industria e aluminit dhe çelikut por ai po bllokon importet në të gjithë spektrin tregtarë, dhe atë po e bën pothuajse me të gjitha shtetet pa përjashtim.
Akoma më e pazakontë është përpjekja e tij për të lidhur çështjen e drogës ilegale ‘fentanyl’ me tarifimin e disa vendeve ku supozohet se ajo prodhohet.
Në historinë moderne dhe për aq sa jam në dijeni, nuk kemi ndonjë rast kur një
president është përpjekur të lidhë një krizë me drogat ilegale me politikën tregtare, siç po bën Trumpi me fentanilin sot.
Por duhet të kemi parasysh edhe një gjë, sa herë që kemi të bëjmë me zotin Trump, vlen thënia se ‘duhet pritur të papriturën’, ndaj dhe tregjet së bashku me kriptovalutën bitkoin kanë pësuar rënie drastike, e tëra kjo nga frika dhe pasiguria në treg.
Në anën tjetër, masat tarifore po arrin sukseset e para për industrinë amerikane.
Mbrenda një periudhe shumë të shkurtër, Z. Trump ka arritur të rikthejë në tregun amerikan gjigantët e teknologjisë inovative sic konsiderohen ‘Apple’ dhe ‘TMSC’.
Ndërsa shumë kompani tjera me renome, ndër to Honda japoneze dhe Samsungu korean kanë filluar planet për rivendosjen e njësive prodhuese në Amerikë.
Ndërsa sa i përket Bashkimit Europian, edhe ata do të ballafaqohen me një taksë shtesë +25% nga data 2 Prill, e deri atëherë do presim dhe analizojmë të gjitha lëvizjet e që rëndom janë repetitive dhe të parashikueshme nga Komisioni Europiane. Vetëmse një gjë mbetet e sigurt, dhe ajo është se do kemi inflacion në rritje edhe këtë vit.