Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti e ka shqyrtuar Planin e Përformances së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për vitin 2022, raporton Ekonomia Online.
Ymer Fejzullahu kryesues i Bortit të ZRrE-së, ka thënë se ndër planet e këtij institucioni për vitin 2022 do të jenë rritja e konkurrencës dhe integrimi i tregut. Ai tha se periudha e ardhshme pritet të jetë sfiduese për ZRrE-në.
“Integrimi i tregut, rritja e konkurrencës në sektorin e energjisë elektrike dhe procesi i rregullimit të çmimit, proceset që ndërlidhen me tarifat e energjisë elektrike dhe termike, planet zhvillimore të operatorëve të rrjetit të energjisë”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se bilancet e energjisë, pavarësia funksionale dhe financiare e ZRrE-së janë disa nga prioritetet e këtij institucioni për vitin e ardhshëm.
Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila pyeti për faturimin e konsumatorëve në veri të vendit.
“Jam e sigurt se viti 2022 do na gjen së bashku sërish. Dua të di për planifikimi dhe hapat për faturimin e konsumatorëve në veri të vendit”.
Për këtë ai ka thënë se faturimi i kësaj pjesë është e vështirë nga KOSTT-i dhe KEDS-i. Për këtë ata kanë menduar licencimin e një operatori të ri serb, siç është Elektroserveri, por që kjo do të bëhet kur do t’u krijohen kushte për operim.
“Elektro-serveri është një proces që ndërlidhet me marrëveshjen e Brukselit, ku e kemi shqyrtuar dhe e kemi dorëzuar. Ne si bord që licencohet në u ofrojmë kushte për operim”.
“KOSTT-i dhe KEDS-i nuk munden me operuar ne atë pjesë për shkak të kushteve, ndërsa aktualisht e kemi të vështirë t’i ofrojmë kushte një operatori tjetër siç është Elktroserveri për shkak të kushteve në atë zonë”.
Teksa ka folur për liberalizimin e tregut, ai ka thënë se kjo nuk mund të bëhet pa funksionalizimin e Fondit të konsumatorëve në nevoje.
“Një prej parakushteve është krijimi i fondit të konsumatorëve në nevojë. Ky fond nuk është i mjaftueshëm dhe ky fond u ndihmon konsumatorëve që nuk mund t’i përballojnë faturat e energjisë. Deri me tani kjo është një pengesë për liberalizimin e tregut”, tha ai.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj pyeti nëse energjia elektrike do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm dhe nëse do të ketë shtrenjtim, raporton EO.
“A mendoni se do të ndikojë kriza energjetike edhe në vitin 2022. A do të thotë që në prill do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, ku kjo është proklamuar edhe nga Qeveria e Kosovës”.
Fejzullahu tha se sipas vlerësimeve ndërkombëtare çmimi i energjisë nuk do të bie deri në prill të vitit të ardhshëm.
“Sipas vlerësimeve shihet që çmimet e energjisë nuk do të bien deri në prill dhe për këtë mendojmë se kjo krizë do të vazhdojë”.
“Nëse nuk mbulohet nga buxheti i Kosovës, atëherë kjo duhet të mbulohet nga konsumatorët, për shkak se rreth 1 milion euro është kostoja e importit, kosto e papërballueshme për neve dhe konsumatorit”, tha ai.