Kriza në Kosovë dhe zgjedhjet në Serbi e kanë shtyrë dialogun

Prishtinë | 20 Kor 2016 | 08:30 | Nga

Dialogu me Serbinë do të rifillojë me t’u formuar qeveria në Serbi ka thënë përfaqësuesi i lartë i BE-së për Kosovë Samuel Zhbogar në një intervsitë për Rubikon të KTV-së.

Kriza politike në Kosovë dhe zgjedhjet në Serbi kanë bërë që ky proces të stagnojë.

“Unë mendoj se askush nuk ka pritur se Kosova mund të angazhohet që të shkojë në Bruksel dhe të diskutojë për të ardhmen e dialogut kur situata në shtëpi ishte shumë e paqëndrueshme. Në anën e Serbisë, patëm zgjedhjet dhe ende po presim për qeverinë. Kështu që sapo ta kemi qeverinë, mendoj se pas asaj, do të na duhet ta rifillojmë dialogun”, ka thënë Zhbogar.

Një pako e tërë e marrëveshjeve është bllokuar sipas Zhbogar duke ju referuar implementimit të atyre marrëveshjeve për të cilat tashmë palët janë dakorduar dhe për këtë ai fajëson të dy palët.
“Natyrisht se janë dy çështje me dialogun, njëra është zbatimi i marrëveshjeve, për të cilat kanë rënë dakord, të cilat ju thatë që po zvarriten, veçanërisht katër marrëveshjet të cilat janë bërë në gushtin e kaluar dhe pastaj është e gjithë çështja e dialogut, hapat e ardhshëm të dialogut”, ka thënë ai.

Zhbogar ka thënë se dialogu është mënyra e vetme për të zgjedhur të gjitha problemet ndonëse procesi mund të shkoj shumë ngadalë për palën kosovare por jo edhe për atë serbe.
“E kuptoj se mund të jetë shumë e ngadaltë për shqiptarët. Por për serbët shkon shumë shpejt. Ata gjithashtu jetojnë në një botë të caktuar që tani po ndryshon dhe ajo gjithashtu merr kohë që të përshtaten.

Por, ju keni shumë të drejtë për të qenë kritikë rreth mosimplementimit, pasi moszbatimi i marrëveshjeve redukton mbështetjen e dialogut në Kosovë, derisa unë mendoj se dialogu është në interes të Kosovës, ka probleme me serbët në Kosovë dhe ka probleme me Serbinë, kështu që si ndryshe ta zgjidhim këtë përpos dialogut”, përfundoi ai

Të ngjashme