Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanović.
Temë e takimit ishte thellimi i bashkëpunimit ekonomik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.
Ministrja Bajrami e informoi ambasadoren kroate rreth proceseve ekonomike nëpër të cilat po kalon vendi si dhe për angazhimet e Qeverisë së Kosovës në realizimin e agjendës ekonomike, përfshirë edhe implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.
Në anën tjetër, ambasadorja Kapitanović shprehu gatishmërinë e shtetit kroat për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike me Republikën e Kosovës. Ajo tha se Kroacia do të ofrojë mbështetjen e saj për Kosovën edhe sa i përket implementimit të MSA-së, meqë Kroacia e ka të freskët këtë përvojë e cila mund t’i ndihmojë Kosovës që të përfitojë nga kjo marrëveshje.
Bashkëbisedueset u pajtuan që të intensifikohet puna e përbashkët institucionale me qëllim të identifikimit të projekteve dhe fushave konkrete të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe investimeve.