Kryetari i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Andreas Aebi, nëpërmjet një letre, ka uruar Glauk Konjufca për zgjedhjen e tij kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në letër-urim, kreu i legjislativit zviceran ka konfirmuar gatishmërinë e shtetit të tij për të mbështetur Kosovën edhe në të ardhmen, si dhe për të forcuar më tej marrëdhëniet në të gjitha fushat e bashkëpunimit parlamentar.
“Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Zvicra ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me vendin tuaj dhe me kalimin e viteve është bërë njëri nga partnerët tuaj kryesorë, si për perspektivën e zhvillimit, ashtu edhe për rrugën e integrimit të Kosovës në BE. Unë sinqerisht shpresoj dhe lutem që ndryshimi i shprehur nga populli kosovar në kutitë e votimit, shkurtin e kaluar, do të sjellë një epokë të re për Kosovën, një epokë që do të sjellë stabilitet politik, miratimin e shpejtë të legjislacionit kryesor dhe do të shënojë përparim të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Aebi në letrën e tij.
Sipas Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Zvicrës, diaspora e madhe dhe e integruar mirë kosovare në Zvicër dhe partneriteti i gjatë në mes të dy vendeve formojnë një bazë solide për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, përfshirë këtu përkrahjen e vazhdueshme zvicerane për institucionet kosovare. Më tej në letrën e tij z.Andreas Aebi thekson se sapo situata pandemike të përmirësohet, unë shpresoj shumë që delegacionet Zvicerane dhe Kosovare të jenë në gjendje të takohen në Bernë ose Prishtinë.
“Do të doja të përfitoja nga ky rast, për t’ju uruar çdo sukses në pozitën tuaj të re dhe për të ripohuar dëshirën time që parlamentet tona të vazhdojnë të punojnë ngushtë së bashku në të ardhmen”, ka thënë ndër të tjera në letrën e tij kreu i Këshillit Kombëtar të Zvicrës.