Kryemadhi: E ndjej për detyrë të jem krah Ramush Haradinajt dhe përballë anti shqiptarit Edi Rama

Prishtinë | 18 Jan 2020 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi pati sot një takim me strukturat në qytetin e Korçës.

Gjatë fjalës së saj ajo u shpreh se ky është një nga momentet më të vështira për vendin, në një nga udhëkryqet më të rrezikshme, në mesin e një krize ekonomike shumë të rëndë dhe të një shteti të kolapsuar nga korrupsioni, të marrë nëpër këmbë nga krimi i organizuar, me një qeveri që i përket dhe i shërben një grupi të vogël njerëzish.

“Por me përgjegjësinë për të rikthyer shpresën dhe besimin dhe papajtueshmërinë me të keqen, me bindjen e pa lëkundur në forcën tonë, vitalitetin e shqiptarëve dhe rinisë së mrekullueshme, se kjo gjendje pa asnjë diskutim mund të ndryshohet dhe të rregullohet për të mirën e shqiptarëve.

Sot përballë kemi një qeverisje dhe një kryeministër që e ka nxjerrë Shqipërinë në treg, që duan ta zhbëjnë Shqipërinë, ta grabisin atë, ta mbajnë të varfër, të pa zhvilluar, të pa arsimuar, pa stabilitet politik dhe ekonomik, pa shërbim shendetësor, pa rend dhe siguri, me një drejtësi të kapur dhe të frikur, të pa integruar në familjen e madhe të BE. Ata mendojmë se kështu mendojnë se do zgjasin pushtetin e tyre në kurriz të së ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndaj opozita është e ndërgjegjshme për përgjegjësinë historike që ajo ka, për ta shpëtuar vendin dhe për ta ndryshuar këtë realitet të zymtë për shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Kryemadhi.

Ajo foli edhe për padinë e Edi Ramës ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Edi Rama ka zgjedhur t’i tradhëtojë interesat e shqiptarëve. Edi Rama ka zgjedhur të tradhëtojë Shqipërinë por të tradhëtojë edhe Kosovën. Pasi dështoi në tentativën e tij të zezë për copëtimin e Kosovës, për llogari të ëndrrës së Serbisë së Madhe, ai po bën çmos të hakmerret ndaj atij që iu bë barrikadë e pakalueshme, fortesë e pa marrshme, digë e pa depërtueshme e ujërave që do përmbytnin ardhmërinë e shtetit të Kosovës, ndaj Komandantit të UÇK dhe Kryeministrit të Kosovës, heroit të gjallë të Kombit shqiptar, zotit Ramush Haradinaj.

Padia e tij groteske, armiqësore nuk ka për qëllim vetëm Ramushin si individ, por përçarjen e Unitetit Kombëtar. Me këtë padi të zezë Edi Rama do të njollosë, jo Ramushin, por luftën për çlirimin e Kosovës, gjakun e të rënëve dhe viktimave të pastrimit etnik serb.

Unë jam e bindur që Ramush Hajradinaj përballë këtij sharlatani antikombëtar nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë, se është lufta dhe shërbimet e tij ndaj shtetit të Kosovës, lirisë së saj, gjaku i derdhur për kombin shqiptar, që bëjnë diferencën e madhe, të pakrahasueshme midis të dyve.

Por si shqiptare, si politikane e ndjej për detyrë të jem krah Ramushit dhe përballë anti shqiptarit Edi Rama”, tha Kryemadhi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme