Kryemadhi kërkon ndëshkim për Ramën: Përçmoi kuksianët dhe vëllezërit kosovarë

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 17:36 | Nga

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon përjashtimin e kryeministrit Edi Rama nga Parlamenti. Kryetarja e kësaj force politike, Monika Kryemadhi tha Rama ka fyer jo vetëm shqiptarët, e veçanërisht kuksianët, por edhe shtetasit e Kosovës.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së grupit të LSI-së, Kryemadhi tha se gjuha që kryeministri Rama përdori në konferencën me gazetarët të dielën, e dyta brenda 24 orëve nga protesta që u mbajt në Kukës, ishte vulgare dhe antikombëtare.

“Ishte fyerje jo vetëm për banorët e Kukësit, por shprehje e qartë antikombëtarizmi që i trajton kosovarët si klientë të pazareve të oligarkëve të tij”, tha Kryemadhi.

Dje gjatë konferencës, Rama ju përgjigj interesit të gazetarëve, duke thënë se nuk kishte arsye që të konsultohej me qeverinë e Kosovës, në lidhje me pagesën e detyrueshme që është vendosur për kalimin në Rrugën e Kombit.

“Cila ishte arsyeja që duheshe të konsultohesha?! Së pari njëherë, nuk është taksë, që ta shpjegoj, se këtu në Shqipëri dëgjoj njerëz që thonë na janë rritur taksat. Është një histori për të ardhur keq sepse quajnë taksë pagesën e ujit e dritave. Këto nuk janë taksa, por tarifa përdorimi. Së dyti nuk kishim dhe s’kemi asnjë arsye të konsultojmë sepse nuk është një tarifë e vendosur politikisht, sepse është kosto, ose do e pranosh ose s’do e pranosh”, tha dje në konferencë shefi i mazhorancës.

“E dënojmë me forcë fjalorin e tij vulgar të një rrugaçi ndaj shqiptarë përçmimin që bëri ndaj vëllezërve tanë kosovarë”, u shpreh Monika Kryemadhi.

Ajo tha se grupi i LSI-së, kërkon përjashtimin e Ramës nga Parlamenti, “për këto shfaqje të shëmtuara të një kryetari qeverie”

Ndërkohë, kryetarja e LSI-së, i bëri thirrje policisë dhe Prokurorisë që të jenë të kujdesshëm me veprimet e tyre.

“Prokuroria të zbatojë ligjin dhe të hetojë me paanësi ngjarjet dhe të mos marrë në mbrojtje provokatorët me urdhër nga Rama, në Kukës”, tha Kryemadhi, duke lënë të nënkuptuar se dhuna në protestën që u mbajt të shtunën në Rrugën e Kombit kundër taksës, u bë me urdhër nga kryeministri Rama.

Po ashtu, Monika kryemadhi, i bëri apel prokurorisë që të hetojë koncensionarin e Rrugës së Kombit për tarifën e papërballueshme nga shqiptarët që është vendosur për çdo kalim të përdoruesve në këtë rrugë.

“Opozita e bashkuar është në bashkëpunim të vazhdueshëm në situatën e krijuar”, – përfundoi ajo.

Të shtunën, një protestë e thirrur nga qytetarët e Kukësit, bashkoi në Rrugën e Kombit, qytetarët nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Kosova, kundër taksës së dyfishtë. Protesta e paralajmëruar paqësore, përshkallëzoi në dhunë, dhe përfundoi me djegien e sporteleve të ngritura për të bërë pagesën e tarifës, pranë tunelit të Kalimashit.

Për këtë protestë, u nxorën 44 urdhër-arreste, ku 23 prej tyre u ekzekutuan nga policia. 23 protestuesit e arrestuar, ndodhen në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës, pasi u transferuan nga Kukësit për të shmangur atje cënimin e mundshëm të sigurisë publike, me protesta e përleshje para komisariatit. Por edhe në Tiranë, familjarët e të arrestuarve, shoqëri civile, por edhe deputetë të opozitës, u mblodhën para policisë për të kërkuar lirimin e të arrestuarve. Ata do të mbahen në ambientet e drejtorisë së Policisë Tiranë derisa të dalin para gjykatës për masën e sigurisë.

Të ngjashme