Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, janë takuar me diplomatët e akredituar në Kosovë, të cilët i kanë informuar për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe atë për trafikun.
Nga sot, në Kosovë kanë hyrë në fuqi këto dy ligje dhe autoritetet kanë thënë se zbatimit do t’i paraprijë një afat informues deri më 15 mars.
“Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.
Kurti, sipas njoftimit, i informoi përfaqësuesit ndërkombëtar mbi “domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate”.
“Kryeministri tha se ky proces integrues do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë”, u tha në njoftim.
Në Mitrovicë të Veriut funksionon një universitet që punon brenda sistemit të Serbisë, ku studiojnë ose punojnë shtetas të Serbisë. Po ashtu, punonjës nga Serbia ka edhe në institucionet shëndetësore në mjediset me shumicë serbe dhe në disa institucione kulturore.
Autoritetet e Kosovës nuk i njohin këto organe serbe dhe kanë mbyllur shumicën e tyre, përveç institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë.
Të punësuarit në këto institucione, veçanërisht profesorët dhe studentët në Universitetin në Mitrovicën e Veriut, mund të përballen me probleme sapo të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt, pasi ai parashikon posedimin e një leje pune ose licence për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën kërkesa paraqitet pranë Agjencisë së Punësimit të Kosovës.
Në praktikë, kjo do të thotë se institucionet arsimore dhe shëndetësore të sistemit serb do të duhet të pajisen me licenca nga institucionet e Kosovës.
Për qëllime studimi, bashkimi familjar, arsye humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana të tjera të parashikuara me ligj, është e nevojshme të posedojë një leje të përkohshme qëndrimi dhe të plotësohen kushtet e tjera të përcaktuara me ligj, në varësi të qëllimit të qëndrimit.
Deri më tani, rregullimi i sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit është përmendur në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia janë marrë vesh që në vitin 2013. Ky Asociacion, ndër të tjera, ishte paraparë të rregullonte funksionimin e institucioneve serbe, si dhe pagat dhe financimin e tyre nga buxheti i Serbisë.
Kosova dhe Serbia, edhe në vitin 2023, e kanë pranuar në parim Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila, ndër të tjera, parashikon formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, respektivisht ofrimin e një niveli të caktuar të vetëmenaxhimit për komunitetin serb.
Një ditë më parë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se deklaratat për integrimin e sistemit të arsimit dhe shëndetësisë shihen si “kërcënuese” dhe mund të vënë në rrezik dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
