Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka pranuar kartolinën e Vitit të Ri nga presidenti në largim i ShBA-së. Në kartolinën e Familjes Obama dërguar kryeministrit Mustafa thuhet:
“Ndërkohë që Familja jonë reflekton mbi shumë vitet e lumtura që ka kaluar në Shtëpinë e Bardhë, ne jemi mirënjohës për miqtë që kemi bërë, gëzimin që kemi shpërndarë dhe dhuratat e mirësisë që kemi pranuar. Ne ju urojmë ju dhe të dashurve tuaj festa të gëzueshme të fundvitit dhe një vit të ri të mrekullueshëm”.
Mustafa ka thënë se, presidenti Obama do të mbahet mend si një lider frymëzues i kombit amerikan, dhe i cili gjatë dy mandateve të tij në Shtëpinë e Bardhë, ka përkrahur Kosovën, shkruan Ekonomia Online
Postimi i plot i Isa Mustafës:
Të dashur miq,
Përmes një kartoline të bukur, pranova urimet për Vitin e Ri 2017 nga Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama dhe Familja Obama.
Gjatë vitit të kaluar në Nju Jork, në pritjen e organizuar për liderët botërorë, pata nderin që t’i takoj Presidentin Obama dhe Zonjën e Parë, Michelle.
Presidenti Obama do të mbahet mend si një lider frymëzues i kombit amerikan.
Gjatë dy mandateve të tij në Shtëpinë e Bardhë, Kosova pati përkrahje permanente dhe populli i Kosovës thelloi respektin për SHBA-të.
Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj kanë ndjenja të veçanta miqësie dhe përkushtim maksimal për partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
God Bless The USA!