Kryeprokurori për vrasjen në Ferizaj: Ende s’dihen motivet, dëshmitari që ishte me viktimën s’është intervistuar ende

Prishtinë | 28 Maj 2022 | 11:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, është deklaruar për vrasjen që ndodhi në orët e para të mëngjesit në Ferizaj. Atje mbeti i vdekur një 30-vjeçar me inicialet G.H, derisa i dyshuar për vrasjen është një bashkëmoshatar i tij, me inicialet Q.J.

Në një prononcim për Gazetën Express, Jashari ka thënë se motivi i vrasjes s’dihet ende, meqenëse ende s’është intervistuar dëshmitari që ishte bashkë me viktimën kur ndodhi vrasja.

Kryeprokurori ka bërë me dije se tashmë kanë nisur hetimet edhe për zyrtarin policor, që e plagosi të dyshuarin për vrasje.

“Jo, ende nuk dihet motivi i vrasjes, për shkak se dëshmitarët që kanë qenë me viktimën ende nuk janë intervistuar. Një ka qenë, në bazë të video-incizimeve shihet vetëm një person. Edhe ndaj zyrtarit policor kanë filluar hetimet në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës”, ka thënë Jashari.

Policia e Ferizajt përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se një person ka mbetur i vrarë në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.

Viktima është G.H i moshës 30 vjeçare i cili si rezultat i plagëve të marra ka vdekur në vendin e ngjarjes.

I dyshuar për vrasjen është Q.J (30 vjeç), i cili në vendin e ngjarjes është kapur me armë në dorë nga policë civilë e me rroba zyrtare.

Siç tregon Policia në komunikatë, i dyshuari ka refuzuar urdhrat verbal të Policisë, derisa me pistoletë në dorë iu kthehet zyrtarëve policor. Një nga policët, siç thotë komunikata, me qëllim të shmangies së rrezikut ndaj tij dhe kolegëve, e ka përdorur armën zyrtare me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit.

I dyshuari është dërguar menjëherë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Ferizaj dhe më pas për tretman në QKUK. Gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Me rastin është duke u marrë edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

“Afër vendit të ngjarjes,  një njësi e policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare,  kanë vërjetur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë filluar fillimisht me urdhëra verbal ” ndal policia”  që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhërat e policisë. I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që, në një moment i kthehet zyrtarëve policor dhe njeri zyrtar policor,  për ta shmangur rrezikun  e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit zyrtare , me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit .

I  dyshuari, menjëherë dërgohet për ndihmë mjekësore në Qendrën Emegjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve,  gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia i ka marrë masat për sigurinë e tij”, thuhet në komunikatën e Policisë./Gazeta Express

Të ngjashme