Qeveria e Kosovës e drejtuar nga ish-kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ka vendosur ta shtyjë përpara miratimin e Ligjit për kryeqytetin, disa muaj para se vendi të hyjë në zgjedhje lokale.
Drafti i ligjit tashmë është hartuar dhe vetëm pritet të hapen dëgjimet publike rreth tij.
Me këtë dokument përcakohet mënyra e funksionimit të kryeqëndrës së shtetit, duke përfshirë edhe mënyrën e financimit të saj.
Në Projektligjin të cilin e disponon AktivPress është përcaktuar që Kryeqytetit t’i jepet një grant shtesë në lartësinë jo më pak se 4% e grantit të përgjithshëm të komunave, të përcaktuar ne Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, nga buxheti i Kosovës për secilin vit fiskal.
“Kjo ndarje merr si referencë vetëm vlerën e grantit të përgjithshëm të komunave dhe nuk merret nga ky grant, por nga ndarjet e tjera të buxhetit qendror”, thuhet në projektligj.
Në këtë draft janë përcaktuar edhe një sërë komptencash që mund t’i ketë kryqyteti jashtë atyre që i ka të përcaktuara në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Ndër të tjera, aty hynë edhe siguria publike.
“Policia themelon Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë, e cila do të ketë kompetencë vetëm në territorin e Kryeqytetit”, thuhet në Projektligj.
“Kryetari i Kryeqytetit pas aprovimit nga Kuvendi i Kryeqytetit i propozon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, dy kandidatë për Drejtor të Drejtorisë se Policisë për Kryeqytetin”, thuhet më tej në këtë dokument.
Kuvendi i Kryeqytetit, parashihet t’i jepet e drejta që ë kërkoj nga drejtori i policisë së Kryeqytetit të informoj lidhur me gjendjen e sigurisë.
Në projektligj thuhet se: Më kërkesën e Kryetarit të Kryeqytetit, Policia e Kosovës në pajtim më ligjin për policinë, themelon njësite të veçanta duke u bazuar në nevojat e Kryeqytetit.
Ligji për kryeqytetin parashihet edhe me Kushtetutën e Kosovës.
Isa Mustafa, gjatë kohës sa ishte kryetar i komunës së Prishtinës, vazhdimisht është ankuar në Qeverinë se po e bllokon miratimin e një ligji të tillë.
Ndonëse është në vitin e tretë në krye të Qeverisë, tek tani ka vendosur ta shtyjë përpara këtë projektligj.
Në vjeshtën e sivjetme Kosova do të hyjë në zgjedhje lokale.(AktivPress)