Zyrtarë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në Kosovë, në një përgjigje dhënë gazetës “Zëri”, kanë bërë të ditur se pranimi i mandatit të kryetarëve të rinj të zgjedhur do të bëhet 15 ditë pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së.
“Pranimi i mandatit nga organet e reja komunale (kuvendin e komunës dhe kryetarin e komunës), bëhet me konstatimin e organeve të reja, e cila bëhet në një seancë solemne-inauguruese”.
Seanca inauguruese mbahet 15 ditë nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, ashtu siç është paraparë me Nenin 42 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale”, thuhet përgjigjen e MAPL-së, përderisa certifikimi i rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja ka ndodhur të mërkurën, më 29 nëntor.
Sipas zyrtarëve të Ministrisë, në komunat ku ndodh certifikimi i organeve komunale (certifikimi i kuvendeve komunale dhe certifikimi i kryetarit të komunës) në afat prej 15 ditësh nga dita e certifikimit mund t’i thirrin seancat inauguruese për konstatimin e organeve komunale.