Kryetarët ftojnë diasporën të investojnë në Kosovë – Konsiderohet si klimë e favorshme për bizneset

Prishtinë | 18 Mar 2024 | 09:33 | Nga Ekonomia Online

Në prani të diplomatëve të ndryshëm nga misionet e ambasadave shqiptare në Bernë, u mbajt takimi “Diaspora Business Connection”. Të pranishëm gjithashtu ishin edhe tre kryetarë të komunave nga Kosova, biznesmenë e afaristë.

Kryetarët pjesëmarrës, kërkuan nga biznesmenë nga diaspora që të investojnë në Kosovë, teksa e konsiderojnë Kosovën si vend me klimë të favorshme për bizneset e huaja.

Presidenti i Bordit të RrBDShZ, Fehmi Fetahi, ka prezantuar një raport rreth aktiviteteve dhe takimeve që rrjeti tashmë ka intensifikuar në funksion të bashkëpunimeve që ka pasur, jo vetëm me afaristë shqiptarë në Zvicër dhe Ballkan, por edhe me biznesmenë e afaristë Zviceranë.

“Rrjeti i Bizneseve të Diasporën Shqiptare po dëshmon se shqiptarët janë shembull integrimi dhe suksesi, jo vetëm në futboll e sport por dhe në biznes!”, ka potencuar Ferati.

Në këtë tubim të afaristëve shqiptarë në Zvicër, pos biznesmenëve nga firma e kompani të ndryshme në Zvicër, mysafirë special ishin edhe ambasadorë dhe diplomatë shqiptarë nga misionet në Bernë të Zvicër, si dhe kryetarë të tri komunave të Kosovës: Alban Hyseni, kryetar i Komunës së Gjilanit, Sokol Haliti i Vitisë dhe Bali Muharremaj kryetar i Suharekës.

Në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni është shprehur i kënaqur me pjesëmarrjen, ndërsa ka potencuar strategjinë e kësaj komune për lehtësira investuese në këtë komunë.

“Kënaqësi të isha pjesë e aktiviteteve të Lidhjes së Bizneseve të Diasporës, presidentit z. Fehmi Fetahu, në Nafels të Zvicrës të organizuar nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare. Para biznesve të diasporës prezantuam mundësitë dhe lehtësirat që ofron Komuna e Gjilanit për investime. Tashmë ne kemi filluar projektin e zonës ekonomike. Synimi ynë është që të tërheqim bizneset e diasporës për investime në Gjilan”, ka thënë Hyseni.

Masës së pranishme në këtë takim i është drejtuan ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Rexhep Demiri dhe Konsulli i Republikës së Kosovës.

Sikur Alban Hyseni ashtu edhe kolegët e tij nga Vitia dhe Suhareka kanë shpalosur projektet dhe mundësitë e lehtësitë investuese të komunave të tyre për bashkëpunim me afariste dhe biznesmenë shqiptare në Zvicër duke u hapur dyert mërgimtarëve për investime ne Republikën e Kosovës.

Ndërsa kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti gjatë ekspozeut të tij ka ritheksuar të arriturat e Komunës që drejton në krijimin e kushteve për ambient biznesi, në veçanti krijimin e Parkut Industrial, i cili sipas tij, tashmë është i gatshëm të presë investitorët.

Haliti ka paralajmëroi një sërë projektesh me interes që do shpallen javën e ardhshme. Ai njëherit ka apeluar tek diaspora shqiptare, sidomos tek biznesmenët që të investojnë në vendlindje dhe kudo në toka shqiptare, sepse sipas tij, “për bizneset nuk ka kufinj administrative”.

Të ngjashme