Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini: Shtatë fshatra janë pa rrymë qe 16 orë

Prishtinë | 16 Dhj 2023 | 13:08 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, ka folur për situatën që po mbretëron në këtë komunë pas reshjeve të borës.

Ai ka thënë se disa fshatra janë pa rrymë qe 16 orë.

“Fshatrat Kerstec i Epërm dhe i Poshtëm, Rapça, Brezne, Plavë, Buçe, Rrenc, nuk kanë rrymë 16 orë”, ka thënë kryetari Xheladini.

Ai ka thënë se për disa shtylla elektrike që thuajse janë rrëzuar për toke ka biseduar me zyrtarët e KEDS-it dhe i kanë premtuar që do të intervenojnë menjëherë.

“Me të parë se shtyllat elektrike thuajse kanë rënë për toke dhe duke ditur se janë rrezik i madh për qytetarët, menjëherë kam njoftuar KEDS-in ku kam marrë premtime që do të intervenojnë shumë shpejt”, ka thënë Xheladini.

Kryetari Xheladini ka thënë se përkundër reshjeve të mëdha të borës të gjitha rrugët janë të kalueshme.

“Në pjesën e Gorës bora ka rëndë mbi 50 centimetra, kurse në Opojë deri 35 centimetra. Përkundër reshjeve të mëdha të gjitha rrugët janë të kalueshme”, ka thënë kryetari Xheladini.

Të ngjashme