Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2019 për t’ua paguar zjarrfikësve edhe orët shtesë jashtë orarit zyrtar të punës, nuk po i bind ata të heqin dorë nga protesta e paralajmëruar për nesër.
Këtë e konfirmoi për Ekonomia Online kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka.
Beka thotë se vendimet e lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk janë bindëse, madje thotë se për këto vendime tanimë është vonë.
“Ministria e Punëve të Brendshme na kanë dërgu komunikatën e cila thotë se që nga viti 2019 zjarrfikësve do t’iu paguhen orët shtesë jashtë orarit zyrtar të punës, por ne do ta mbajmë protestën sepse asgjë bindëse nuk ka nga MPB-ja”.
“Jemi mësu ne me premtime qe 10 vite. Unë bisedova edhe me MPB-në por tanimë është vonë”, thotë Beka.
Beka thotë se ata nuk do ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre dhe se për këtë janë shumë këmbëngulës.
“Nesër nëse e kanë seriozisht le të dalin me vendim, ne po kërkojmë realizimin e të drejtave që na takojnë me ligj si dhe me kontratat e punës. Nesër do të jemi shumë këmbëngulës në kërkesë, pasi ka shumë diskriminime që i bëhen këtij shërbimi që nga paslufta”.
Protesta e paralajmëruar ditë më parë nga Sindikata e Zjarrfikësve do të mbahet nesër. Nisja e protestuesve bëhet në orën 10:30 nga Parkingu i Pallatit të Rinisë. Ecja do të bëhet drejt sheshit “Zahir Pajaziti” e deri tek objekti i Qeverisë, në orën 11:00.