Albulena Mehmeti, e cila para dy muajve ishte emëruar kryetare e Bordit të RTK-së është larguar nga televizioni publik i Kosovës.
Mehmeti e cila kishte përkrahur lajmin shpifës që RTK kishte publikuar ndaj Periskopit dhe Nacionales, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook tha se shpreson që “RTK-ja do të vazhdojë të forcohet si një medium publik i besueshëm, dhe të mbetet i palëkundur në misionin e tij për t’i shërbyer publikut”.
Postimi i plotë:
Mandati trevjeçar në Bordin e RTK-së
Pas një angazhimi të rëndësishëm trevjeçar si pjesë e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, një rrugëtim që nisi si anëtare e Bordit, vijoi si Nënkryetare dhe përfundoi me pozitën e Kryetares së Bordit të RTK-së kam pasur privilegjin të kontribuoj në disa nisma dhe arritje kyçe që kanë ndikuar në rritjen dhe zhvillimin e këtij institucioni të rëndësishëm publik. Ndër aktivitetet më të rëndësishme ishte pjesëmarrja ime në Komitetin e Auditimit, i cili për herë të parë u themelua në RTK. Pastaj hartimi i Statutit të Komitetit të Auditimit dhe Statutit të Njësisë së Auditimit të Brendshem, si dhe mbikëqyrja e financave ishin hapa të rëndësishëm drejt transparencës dhe forcimit të integritetit financiar të institucionit.
Jam falënderuese ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës që më besuan këtë mandat.
RTK-ja ka qenë dhe mbetet një shtyllë e rëndësishme e informimit të drejtë dhe profesional në Kosovë. Megjithëse ka pasur sfida dhe përpjekje për ta dobësuar, ky institucion qëndron i palëkundur falë punonjësve të tij të përkushtuar, të cilët e duan dhe respektojnë vendin e tyre të punës. RTK si mendium i vetëm publik, është detyrë e të gjithëve që ta mbështesim dhe ta forcojmë duke mos lejuar ndërhyrje që mund të cenojnë kredibilitetin e tij.
Me shpresën se RTK do të vazhdojë të forcohet si një medium publik i besueshëm, dhe të mbetet i palëkundur në misionin e tij për t’i shërbyer publikut, duke promovuar vlera, kulturë dhe informim të pavarur, unë e përmbyll këtë kapitull me mirënjohje të thellë.
“Liria e shtypit nuk është vetëm e drejtë; është përgjegjësi.” – Walter Lippmann