Për aktvendimin e dytë të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, që vlerësoi të përputhshme me Kushtetutën e Kosovës Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të Gjykatës Speciale, është deklaruar edhe Kryetarja e kësaj gjykate Ekaterina Trendafilova.
Ajo ka folur për aspektet e rëndësishme të miratimit të kësaj rregulloreje, përfshirë edhe hyrjen në fuqi të saj, 7 ditë pas vendimit të sotëm, që thotë se tash nuk ka kurrfarë pengese ligjore për ngritjen e aktakuzave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ky vendim është i rëndësishëm për institucionin tonë në shumë aspekte. Së pari, vendimi i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese garanton se Rregullorja përfshin standardet më të larta të të drejtave të njeriut. Së dyti, me miratimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave, Dhomat e Specializuara mundësojnë një sistem të fortë për mbrojtjen e individëve të cilët mund të jenë të rrezikuar për shkak të pjesëmarrjes së tyre në procedura para Dhomave të Specializuara. Së treti, me hyrjen në fuqi të Rregullores, pas shtatë ditësh nga dita e sotme nuk do të ketë kurrfarë pengese ligjore për marrjen e çfarëdo parashtrimi ose aktakuze nga Zyra e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në deklaratën e gjyqtares Ekaterina Trendafilova.
“Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës për angazhimin dhe profesionalizmin e jashtëzakonshëm që treguan gjatë muajve të fundit në hartimin dhe ndryshimin e dokumenteve normative kyçe për institucionin tonë. Gjithashtu u shpreh mirënjohjen time më të sinqertë gjykatësve të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në shqyrtimin fjalë për fjalë të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, për të garantuar kushtetutshmërinë e saj”, vijon deklarata e saj.
Ndryshe, sot, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka shpallur aktgjykim pozitiv për rregullat e rishkruara të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale. Sipas këtij aktgjykimi, rregullat e rishkruara të rregullores në fjalë janë në përputhje më Kushtetutën e Kosovë.