Kthehet në punë mësuesja në Suharekë, që u përjashtua për shkak të shamisë

Prishtinë | 16 Sht 2022 | 15:04 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka konfirmuar se mësuesja Remzie Lezi e cila ishte larguar nga puna për shkak të shamisë është duke vazhduar punën në shkollën “Flamuri i Arbërit”, nga e cila e larguan një muaj më parë.

I pari i Suharekës ka thënë se ka dy javë që mësimdhënësja Lezi është kthyer në shkollë. Madje ai u shpreh i revoltuar se pse mediat po e pyesin atë për këtë rast.

“Po ajo është duke punuar qe dy javë, une sdi pse po më thirrni për këtë punë. Ajo është duke punuar qe dy javë. Ajo është në punë qe dy javë asnjë ditë nuk është nalë prej punës”, ka thënë Muharremaj.

Mësuesja Remzie Lezi me një vendim të “Këshillit Drejtues”, ishte përjashtuar nga shkolla “Flamuri i Arbërit” në Suharekë ku punonte si mësimdhënëse, dhe e gjithë kjo për shkak të shamisë.

“Kam ardhur brenda në shkollë jam, më kanë leju me hy por drejtori erdhi më herët dhe më tha nuk mundem me të lanë këtu më këtë uniformë”, pati thënë ajo për Infokus

Ajnisha Veselaj në një video ku një mërgimtar i ka ofruar mësueses së larguar ti paguajë pagën për aq kohë sa nuk do ta kthejnë në shkollë, ka bërë një koment skandaloz duke fyer e ofenduar kolegen e saj por edhe personin që i ka ofruar ndihmë.

“Bash kishe ba mirë me ja pagu (pagën) deri në pension e mos të duket ka shkolla me shami”, ka shkruar Veselaj në postimin ku iu ofrua ndihmë mësimdhënëses së përjashtuar.

Ndërsa tani sipas kryetarit të Komunës mësuesja është kthyer në mësim madje ka dy javë që sipas tij Lezi vazhdon mësimin në shkollë.

Të ngjashme