Tridhjetepesëmijë shqiptarët e Sirisë sot ende nuk kanë një adresë se ku gjenden, nëse janë gjallë apo të strukur nën gojën e armikut ndokund, drejt groposjes brenda një varri masiv siç ka ndodhur historikisht me fatin e shqiptarëve.
Ndonëse folklorizmi shqiptar mes dy shteteve (Shqipëri e Kosovë), vazhdon drejtë arritjes së stafetës secili nga ata është ‘gardian’ i të gjithë shqiptarëve. E shqiptarët në katër anët e derdhjes e shkapërderdhjes së tyre nëpër botë vazhdojnë të zhduken pa lënë asnjë gjurmë e varr nga ekzistimi i tyre sikur të mos kishin ekzistuar fare.
Ndjenjat kombëtare i kemi të zjarrta sa herë që në dy shtetet shqiptare vijojnë zgjedhjet lokale e parlamentare, nuk arrijmë të kuptojmë drejtë nëse i kanë të vërteta kërkesat për unifikim dhe ruajtje të shqiptarëve apo vetëm një parullë drejtë ardhjes në pushtet dhe spastrim nga shqiptarët, kjo le të mbetet nën ndërgjegjen e tyre, ama fati i shqiptarëve është mbetur në dorën e askujt, përveç atij të armikut.
Shqiptarët e Sirisë ishin intelektualët e shumë viseve shqiptare që u larguan me dhunë nga represioni serb e grek gjatë Luftës së Parë Botërore në Ballkan (trojet shqiptare). Shqiptarët e Sirisë u vendosen aty ku krijuan lagjet dhe institucionet e tyre, veçanërisht në Damask të Sirisë, që gjithë bota arabe i njohu si Lagjja e Arnautëve, Xhamia e Arnautëve, Shkollat e Arnautëve etj. Më tutje gjithë bota arabe dhe evropiane, përjashtimisht ‘shqiptarët’, i njohën letrarët më të shquar të shekullit të kaluar siç ishte Abdyl Latif Arnauti, po ashtu Ajshe Arnauti poete me renome botërore, e shumë personalitete tjera me kontribut të jashtëzakonshëm për njerëzimin.
Shqiptarët e Sirisë, mallin për atdheun dhe kontributin për vatan asnjëherë nuk e kishin ndërprerë, edhe atëherë kur shqiptarët nuk kishin një shtet të njohur ndërkombëtarisht. Figurat ishin të shumta duke kontribuar në afirmimin e çështjes shqiptare kudo nëpër botë. Siç ishte në mesin e tyre profesor Muhamed Arnauti, figura e cila prezantonte Ballkanin për dekada me radhë, veçanërisht çështjen shqiptare në gjithë botën arabe.
Ndërsa, tani kur ne Shqiptarët kemi dy shtete e gjysmë, interesimi e brenga jonë për bashkëkombësit tanë shqiptar, veçanërisht atyre në Siri, ka kaluar në kauza të rrejshme politike dhe ego personale me dreka qindra miliona euro. Kampet e refugjatëve janë vendosur kudo përreth trojeve shqiptare, që nga Çamëria e deri në Shkup e Preshevë, në cilat kampe gjithashtu gjenden shqiptarët, elitat dhe burokratët tanë nuk i prekë fare kjo ndjenjë brenda ndërgjegjes së tyre, ngase ende bisedohet gjoja se me serbët e grekët për shqiptarët.
Vobektësia nuk paska fund edhe atëherë kur njeriu në ballin e tij i ka të dy sytë. Ndonëse sot kemi edhe shtete edhe pushtet ne shqiptarët, por pa ndjenjën e zemrës e ndërgjegjes, shtetet tona janë shndërruar në aparatin e spastrimit e poshtërimit të vetë shqiptarëve.