Kantautorja H.E.R. fiton shpërblimin e parë “Oscar”

Prishtinë | 26 Pri 2021 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Ylli amerikan i muzikës, H.E.R. triumfoi në ceremoninë e 93-të të shpërblimeve akademike, duke e fituar shpërblimin e saj të parë “Oscar” në kategorinë “Kënga më e mirë origjinale”, për këngën e saj “Fight For You” e cila ishte kolonë zanore e filmit “Judas and the Black Messiah”.

Me ta pranuar shpërblimin në skenë, këngëtarja e cila shkëlqente e veshur me një kostum ngjyrë kaltër foli për rëndësinë e shfrytëzimit të artit për ta treguar të vërtetën e saj, si dhe i bëri thirrje muzikantëve dhe filmbërësve që t’i përdorin platformat e tyre me kujdes dhe përgjegjësi.

“Zot i madh nuk e prisja këtë shpërblim. Jam shumë falënderuese. Jo vetëm për këtë fitore, por për faktin se jam pjesë e një tregimi aq të rëndësishëm. Prandaj ju falënderoj nga zemra. Faleminderit Akademisë që më votuan, gjithmonë kam dashur ta them këtë frazë, dhe natyrisht u jam mirënjohëse gjithë bashkëpunëtorëve të mi sepse pa ta, kënga nuk do të ishte kjo që është sot. Më duhet ta falënderojë Zotin dhe prindërit e mi, nënën time të bukur e cila është sonte këtu me mua, dhe babanë i cili po na ndjekë nga shtëpia”, deklaroi këngëtarja para se të betohej se gjithmonë do të luftojë për drejtësi, si dhe i ftoi gjithë të pranishmit në sallë që gjithmonë ta tregojnë të vërtetën e tyre. “Dua ta them këtë gjë, të gjithë ju muzikantë, filmbërës dhe artistë, unë besoj se ne kemi mundësi por edhe përgjegjësi që gjithmonë ta themi të vërtetën, ta shkruajmë e rrëfejmë historinë ashtu siç ishte, të tregojmë si na bashkon ajo sot të gjithëve, dhe ta tregojmë atë që e shohim se po ndodhë në mbarë botën. Kam mbetur pa fjalë. Thjeshtë jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse. Dituria është fuqi. Muzika është fuqi. dhe derisa do ta kem rastin të qëndrojë para jush si një artiste, unë betohem se gjithmonë do të luftojë për ne. Gjithmonë do të luftojë për njerëzit dhe për drejtësi. Këtë fuqi e ka muzika dhe rrëfimi i historive përmes artit tonë. Faleminderit shumë të gjithëve”.

Këngën fituese “Fight For You”, H.E.R. po ashtu e interpretoi në mbrëmjen e së dielës e shoqëruar në skenë nga disa muzikantë dhe valltarë.

Të ngjashme