Kumbaro takim me Vjosa Osmanin: Shqiptarët e Kosovës baza e turizmit të Shqipërisë

Prishtinë | 22 Maj 2024 | 16:22 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka vizituar sot Prishtinën, ku është pritur nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Në takimin me presidenten Osmani, ministrja Kumbaro u shpreh se shqiptarët e Kosovës janë baza solide e turizmit gjithëvjetor në Shqipëri.

“Turi i aktiviteteve në Prishtinë nisi me një takim shumë energjik me Presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani. Kryefjalë të bisedës kishim turizmin dhe shkëmbimet mes dy vendeve tona ku mysafirët nga Kosova mbeten baza më e qëndrueshme e turizmit gjithëvjetor, por lajmi i mirë është se edhe shqiptarët e Shqipërisë çdo vit e më shumë po preferojnë të vizitojnë atraksionet turistike e natyrore të Kosovës.

Dakordësuam për mundësi të reja bashkëpunimi në turizëm, forcim të promovimit të përbashkët të mes vendeve tona, si edhe i përcolla Presidentes Osmani ftesën për një vizitë në Shqipëri nga zonat malore në bregdet, përfshirë edhe lumin Vjosa, tashmë Park Kombëtar”, është shprehur ministrja Kumbaro.

Presidentja Osmani nga ana tjetër vlerësoi “zhvillimin dhe rritjen që ka përjetuar Shqipëria në turizëm, duke pritur shifra rekord vizitorësh”.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ministrja Kumbaro do të zhvillojë takime edhe me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari si dhe kryetarin e PDK, Memli Krasniqi.

Ministrja do të marrë pjesë gjithashtu në aktivitetin për çeljen e sezonit turistik të Lezhës që do të mbahet në Prishtinë, në simbolikën e mirënjohjes për të gjithë shqiptarët e Kosovës që zgjedhin Shqipërinë si destinacion.

Të ngjashme