Kuptimi i fshehur i qëllimeve politike të PDK-së

Prishtinë | 14 Nën 2022 | 14:06 | Nga Afrim Kasolli

Në vorbullën e krizës ku jemi katandisur, vlen te veçohen dy deklarata të zyrtarëve të PDK-së, e të cilat mund të merren edhe si referencë se si kjo parti ka filluar ta shohë shtegdaljen nga bllokada aktuale. Ndonëse si të tilla, nuk u interpretuan aq shumë në opinionin publik.

Fillimisht, nënkryetarja e kësaj partie deklaroi, se nuk kemi pse frikësohemi nëse Asociacioni bëhet sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe më pastaj po ashtu kryetari, deklaroi se PDK është e gatshme të qeveris, nëse kryeministri i vendit Albin Kurti jep dorëheqje. E siç dihet marrja e përgjegjësive qeverisëse në këto rrethana, nënkupton pikërisht marren e obligimit për themelimin e Asociacionit. Sepse kjo është tema kryesore që sot e rëndon jetën politike në Kosovë. Ngase Kosova nuk është shtet sikur se, Sllovenia apo Kroacia, që i kanë të mbyllura çështje të tilla kushtetuese dhe juridike. Por te ne, qeveritë shumicën e kohës, kanë rënë për shkak të dialogut. Ngase do të ishte absurde të shpresohej se bashkësia ndërkombëtare që nëse VV nuk s’do ishte pushtet do të kishte mirëkuptim për të tjerët, dhe nuk do t’i shtronte nw tavolinën e negociatave të njëjtat kërkesa.

Në jetën politike ka shumë rëndësi kuptimi i fshehur, i asaj që nuk thuhet hapur. Sepse, partnerët ndërkombëtarë gjithnjë e më shumë, po e potencojnë faktin, se Kosova duhet sa më shpejt ta fillojë procesin e themelimit të Asociacionit. Kontradikta këto çfarë edhe e kanë sjell një tension ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe fuqive perëndimore ndërkombëtare. Megjithatë, ende nuk e dimë se a është ky qëndrim kolektiv i partisë, apo vetëm i kryetarit dhe nënkryetares së saj. Sepse pohime të tilla të ngjashme nuk kemi dëgjuar nga eksponentë tjerë, sikur se shefi i grupit parlamentar etj, që logjikisht janë pjesë e konstituimit të qëndrimit të përbashkët të partisë. Apo dy të parëve reagime të tilla u kanë ardhur aty për aty, vetvetiu, si pasojë e mallit edhe etjes për parajsën e humbur të pushtetit.

Në këtë mënyrë, këta dy zyrtarë të PDK po ia bëjnë të qartë vendeve sponsorizuese të dialogut, se kjo parti po erdhi në pushtet nuk ka asgjë kundër kërkesave ndërkombëtare për këto tema. Prandaj, me këtë pranim duket sikur po e kërkon mbështetjen e diplomacisë perëndimore, që t’i ndihmoj këtij formacioni të rikthehet edhe një herë në majat e Olimpit politik, në mënyrë që as ato të mos kenë kokëçarje, sikur se po ndodhë tani.

Pra pohime të tilla bëhen, pikërisht në një kohë, kur partia në pushtet është kurthuar në disa prej temave që shteti i Kosovës i ka marrë për obligim për t’i zbatuar si pasojë e dialogut në Brukesel, por që e njëjta sa ishte në opozitë i kishte kundërshtuar më të gjitha forcat. Dhe po ashtu në një kohë tjetër kur të gjitha hulumtimet opinionit publik po tregojnë se LDK-ja është duke shënuar ngritje serioze politike si parti opozitare, duke e lënë prapa PDK-në, dhe në këtë mënyrë duke i rrënuar shpresat e saj për një rikthim sa më të shpejt të mundshëm në pushtet në bazë të legjitimitetit qytetar. Ngase, lidershipi i të parës po e preferon heshtjen në raport me pataten e nxehtë, mirëpo që më shumë është fokusuar në reformat e brendshme në parti.

Kurse, PDK e ndodhur ende ndërmjet forcës serioze elektorale të partisë në pushtet dhe shndërrimit të LDK-së si alternativë ndaj dështimeve të saj të brendshme, duket sikur po e përdor një kalkulim tjetër taktik për t’i realizuar ambiciet e saj politike. Pra po u thotë në mënyrë të heshtur ndërkombëtarëve që deri sa Lëvizja Vetëvendosje është pengesë për dialogun, LDK edhe pse po forcohet si forcë politike, megjithatë nuk po demonstron guxim politik për t’u ballafaquar me këto sfida, atëherë jemi ne këtu që mund të bëhemi trampolinë e kësaj agjende.

Natyrisht, këto supozime hipotetike mund vetëm të jenë shprehje e dëshirave të tyre për t’u ringritur edhe një herë nga rënia fatale. Sepse, me secilën prej temave “historike” që sot po përballet Kosova nuk mund të realizohet kurrë pa një konsensus të plotë politik. Dhe nuk ka shansa që në rrethanat aktuale kjo parti të jetë në gjendje ta ndërtojë në të tillë. Madje, pikërisht mungesa e këtij të fundit, na ka sjellë në këtë situatë?

Mirëpo, ky “vizion”, i përfaqësuar nga dy zyrtarët më të lartë të saj, tregon se kjo parti vazhdon të mbetet peng i së njëjtës logjike politike që nga koha kur edhe i ka nënshkruar këto marrëveshje, e që tani janë shndërruar në obligim për Kosovën. Ku në vend të procesit të reformave të njëmendta të brendshme dhe që gradualisht ta rifitojë besimin e humbur të publikut, ajo shpreson se duke pranuar çdo kërkese ndërkombëtare, mund ta fitojë relevancën politike ndërkombëtare dhe të jetë e dobishme për procesin e dialogut, pavarësisht mbështetjes së brendshme qytetare dhe kapacitetit për t’i zbatuar ato brenda. Ashtu si dikur që kalkulonin që nuk mund ta humbnin pushtetin pavarësisht gabimeve të tyre, sepse bashkësia ndërkombëtare, në fund të fundit do të jetë e obliguar të punojë vetëm me ta, meqë s’mund të gjejë partnerë tjerë, për shkak të ngarkesave ideologjike të Vetëvendosjes dhe qëndrimeve të saj rigjide për dialogun. Strategji kjo, që i ka prodhuar Kosovës jo pak telashe, armiqësi, tensione dhe rivalitete të brendshme, për shkak të refuzimit të partive opozitare për t’i kaluar ato në Kuvendin e Kosovës.

Madje, nëse të kaluarën këtij procesi i ka prirë një njeri me një prapavijë të spikatur historike, paramendoni tash kush ka iluzione se mund ta luaj atë rolë. Fantazmagori të tilla mbase edhe mund të jenë edhe pasojë e mjerimit që i ka kapluar për shkak të humbjes së peshës së padurueshme politike. Dhe vakumin e përjtuar kanë shpresë së mund ta kompensojnë në këtë mënyrë. Por që do të ishte metoda me keqe e mundshme si për ata vetë ashtu edhe për formacionin që e drejtojnë.

Të ngjashme