Liverpooli është gati në cak. I duhen vetëm edhe dy fitore për të siguruar titullin e parë të Anglisë pas 30 vjetëve.
Kryetrajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp e ka drejtuar klubin drejt triumfit në Ligën e Kampionëve stinorin e kaluar, triumfi i gjashtë i klubit anglez në Evropë, por padyshim titulli i Anglisë do të kalonte këtë sukses, shkruan BBC.
Mirëpo, me futbollin e pezulluar shkaku i koronavirusit, mbetet si mundësi që Liverpoolit t’i mohohet shpërblimi për një stinor të jashtëzakonshëm.
Autoritetet – dhe klubet vet – mbesin të vendosura për të përfunduar stinorin. Por, nëse Premier League dhe qeveria nuk gjejnë një rrugë të sigurt për të mbaruar edicionin, atëherë Liverpooli i stinorit 2019-20 do të futet në mesin e skuadrave që u është mohuar suksesi për shkak të ndonjë ngjarje të pazakontë.
BBC ka përzgjedhur disa raste interesante.
Evertonit iu mohua triumfi në Evropë
Në mesin e viteve 1980-ta skuadra nga Merseyside që po shkëlqente ishte Evertoni. Skuadra e re e Howard Kendallit arriti triumfin në ligë në stinorin 1984-85 me 90 pikë, 13 më tepër se Liverpooli.
Po ashtu fitoi Kupën e Fituesve të Kupave në Rotterdam, duke mposhtur në gjysmëfinale Bayern Muenchenin, para se të triumfonte në finale ndaj Rapidit të Vjenës.
Evertonit iu mohua tripleta pasi pësoi në finale të FA Cup nga Manchester Unitedi me shifrat 1:0 pas shtesave.
Atë verë Kendall shtoi në klub Gary Linekerin në tentim për të fituar edhe Kupën Evropiane stinorin e ardhshëm.
Mirëpo, shpresat e Evertonit për një triumf në Kupën Evropiane u shuan para se të nisnin.
Afro 160 kilometra nga vendi ku triumfoi në Kupën e Fituesve të Kupave, Rotterdam, 39 persona vdiqën dhe 600 u lënduan kur tifozët u shtypën për një muri që kolapsoi më pas, gjatë finales së Kupës Evropiane mes Liverpoolit dhe Juventusit.
Incidenti në stadiumin Heysel ka quar që t’u ndalohet pjesëmarrja e klubeve angleze në futbollin evropian për pesë vjet.
Evertoni kishte humbur titullin në ligë në xhiron e fundit në vitin 1986, para se të rikthente titullin në vitin 1987, në të dy rastet duke mbledhur 86 pikë.
Në atë periudhë, Steaua, Porto dhe PSV Eindhoveni fituan Kupën Evropiane. Kështu që gjithmonë do të mbetet pyetje se çfarë do të ndodhte në rast se Evertoni do të kishte mundësinë të luante në Evropë.
Katër nga lojtarët që ishin në përbërje të Evertonit, ishin startues për Anglinë në ndeshjen çerekfinale të Botërorit 1986 kundër Argjentinës së Diego Maradonës, përfshirë këtu edhe fituesin e “Këpucës së Artë”, Lineker. Lineker, që shkoi më pas të luante te Barcelona, ka përshkruar skuadrën e Evertonit si më të mirën në të cilën ka luajtur.
Jugosllavia (1987-1992 dhe përtej) – sanksionet ia parandaluan mundësinë në Kupën e Botës
Dejan Saviçeviq, Dragan Stojkoviq, Robert Prosinçeki, Davor Shuker, Predrag Mijatoviq dhe Zvonimir Boban duke dalur në skenë. Jugosllavia e fillimit të viteve 1990-ta ndoshta është storia më e shquar në futbollin modern të asaj se “çfarë nëse?”
Shumë top-klube evropiane në vitet 1990-ta kishin lojtar nga Ballkani.
Fituese e Botërorit të rinjve të vitit 1987, Jugosllavia kishte arritur në çerekfinale në Botërorin 1990 në Itali. Por, dy vjet më vonë sanksionet e Kombeve të Bashkuara i mohuan Jugosllavisë vendin në Kampionatin Evropian ndërsa lufta civile shpërtheu.
Gjatë periudhës së përjashtimit, si Evropiani 1992 ashtu edhe Botërori 1994 ishin gara ku mungoi një skuadër e madhe.
Në mënyrë të famshme, Danimarka e ftuar për të zëvendësuar Jugosllavinë, fitoi Evropianin 1992.
Mirëpo, ishte Botërori 1994 aty ku grupi i lojtarëve të talentuar ka mundur të shkëlqente. Në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 1994, Saviçeviqi përkrah Bobanit udhëhoqën skuadrën e madhe të Milanit drejt triumfit të thellë 4:0 ndaj Barcelonës së Johan Cruyffit.
Dy muaj më vonë Bullgaria, nën udhëheqjen e Hristo Stoichkovit arriti në gjysmëfinale të Botërorit, ndërsa Brazili ngadhënjeu fal golave të Romarios.
Ka shumë të panjohura për të thënë se si do të ishte paraqitur Jugosllavia, por për disa do të ishte shumë më kënaqësi të shihej ai grup i futbollistëve duke tentuar të fitonte Kupën e Botës.
Përfaqësuese të dala nga Jugosllavia u paraqitën në skenë në eliminatoret për Evropianin 1996, ku lojtarët tash u ndanë në pesë shtete. Në Botërorin 1998 në Francë, Kroacia arriti deri te vendi i tretë, ndërsa në këtë ngjarje Ish Republika e Jugosllavisë arriti në 1/8 e finales.
Maras El Hodood (2012) – trazirat përfundojnë lavdinë e rrallë
Më 1 shkurt të vitit 2012, një trazirë masive shpërtheu në ndeshjen e ligës së Egjiptit mes Al Masryt dhe Al Ahlyt në stadiumin “Port Said”.
Pas hetimeve dhe pas situatës së krijuar nga kjo trazirë, qeveria vendosi të ndalonte ligën nacionale. Megjithë rreziqet e mëdha financiare me të cilat përballeshin klubet egjiptiane në atë kohë, qeveria vlerësoi se nuk është sigurt të kthehen ndeshjet.
Në kohën e pezullimit, Haras El Hodood gjendej në krye të renditjes në ligë, para kampionit të Afrikës, Al Ahly me një pikë epërsi dhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Skuadra nga Alexandria ishte lider befasues.
Al Ahly kishte fituar shtatë titujt e kaluar dhe kur u rikthye liga e fitoi për herë të 37-të. Mos-stabiliteti në Egjipt nënkuptoi se futbolli profesionist nuk u luaj deri më 2013-14 dhe për Haras El Hodood ishte një rikthim në mesin e klubeve ndjekëse.
Nuk ka shumë shembuj nëpër botë për liga të pezulluara dhe që nuk u rikthyen. Edhe më pak ku asnjë kampion apo klube që kanë rënë nga liga nuk u caktuan.
Kjo është një nga kampionatet, por a do të pasohet nga tjera?
Barcelona (2009-2011) – shpresat për tripletën në Ligën e Kampionëve u goditën nga lartë
Kur Pep Guardiola mori drejtimin e Barcelonës në verën e vitit 2008, skuadra e tij shkëlqente me filozofinë e futbollit total të Cruyffit, ku Lionel Messi, Andres Iniesta dhe Xavi drejtonin skuadrën.
Gjatë tre stinorëve të ardhshëm, Barcelona fitoi ligën tri herë dhe dy herë Ligën e Kampionëve. Por, për një ndodhi të pazakontë, Barcelona mori goditje te shpresat për të fituar tri herë rresht trofeun e Evropës, duke u rreshtuar përkrah Ajaxit të Cryuffit, që kishte ngadhënjyer nga viti 1971 deri më 1973.
Në pranverë të vitit 2010 një vullkan shpërtheu në Islandë dhe bllokoi Evropën. Hiri vullkanik qëndroi mbi kontinent, duke penguar trafikun ajror.
Barcelona u desh të bënte një rrugëtim dy ditor me autobus për ndeshjen gjysmëfinale kundër Interit. Shumica pajtohen se nuk ka qenë mënyra më e mirë për t’u përgatitur për një ndeshje futbolli.
Në ndeshjen si vendas Interi fitoi 3:1, mjaftueshëm për të siguruar biletën për në finale ku triumfoi ndaj Bayern Muenchenit.
Por, çfarë nëse Barcelona do të përgatitej në mënyrë normale? Kishte fituar dhe barazuar kundër Interit më herët në fazën e grupeve dhe nuk tregonte shenja për ulje të standardit. Por, Interi pati një përkrahje nga lartë.
Barcelona riktheu trofeun e Ligës së Kampionëve një vit më vonë, duke e mposhtur në mënyrë komode Manchester Unitedin në finale, për herë të dytë në tri vjet.
Bacelonës iu mohua rasti që të bëhej klubi i parë që ka fituar Ligën e Kampionëve tri herë, një sukses që më vonë e arriti rivali i përbetuar Real Madridi.