Teatrin nuk e rrëzon dot sikur një hotel skaj deti, me tritol! Por, as nuk është se nuk e rrënon dot , një teatër. Më kot, e ruan godinën ndërkohë që të rrënojnë bazën kulturore. Të (a)kulturojnë, me një fjalë. Në artin bashkëkohor, shfaqja luhet në tërë planetin.
Sa për godinën, në shfaqjen tonë, të duhet veç një eskavator dhe një ministër “modern” i kulturës . Modern duhet të jetë edhe kryetari i bashkisë për të u përmbyllur projekti. Askush nuk e rrënon një teatër sa një drejtues i cili e largon publikun. Ku ka krim më të madh, sesa publiku të mos mund të flejë në teatër? Nëse nuk ke publikë, të fle aty, nuk ke teatër. Bëje muze, atëherë, ose shumëkatëshe me qelq! Pastaj, vjen poeti dhe këndon për ca “Ca pika shiu (që) ranë mbi qelq..”
Eh! “E keni lexuar romanin “Ura e Drinës” “, e pyesin një qytetar, për romanin e famshëm të nobelistit Ivo Andriç. “Përse t’a lexoj? Unë kam ecur mbi atë urë, mor i uruar”,- thuhet të jetë përgjigjur qytetari. Gjithsesi kjo ishte veç një anekdotë boshnjake. Por, a e kemi ne urën tonë, nëse nobelistin nuk e kemi, ende?
E pra, e kemi teatrin. E kemi edhe parlamentin. E kemi edhe popullin që fle. Më pyesni, nëse kam qenë ndonjëherë në teatër? Ç’e do teatrin mor i gëzuar, kur kemi parlamentin? Ku aktorët, ku politikanët? Krejt regjisorët e mirë, janë në politikë.
Një shfaqje në teatër, përgatitet me muaj dhe e shikojnë disa dhjetëra veta, ndërkohë që parlamentin e shohin miliona dhe aktorët janë të papërgatitur fare. E pra, teatër apo parlament? Premierë me disa repriza, apo seria i pafund ku populli qesh e qanë me fatin e vet?
Pastaj, aty e ke Shekspirin, edhe Molierin”, – do të thotë tjetri. Aty i ke, në një vend, në një shfaqje të tipit serial, gjithë tragjedinë e komedinë shqiptare. Nëse Sheshin Skënderbe e shohim si shtojcë të teatrit tonë politik, mund të shohim shpesh edhe popullin si statist.
Eh, ku ”theatro” e ku politika ?! Në teatrin tonë kombëtarë, në Tiranë apo Prishtinë, nuk ka ndonjë aktor të denjë i cili do të lozte për shembull rolin e Ramës apo Berishës, e të mos flasim për presidentët, andej e këndej? Cili aktor do të vishte atlete me kollare? Kush do të luante me kufinjë e territore? Është e lehtë të luash Hamletin, ose Othellon të cilët nuk i njihte kush, në kohën e vet. Kur kalonin ata nuk mbyllej autostrada. Ata mund të i luash pa frikë se të reagon ndokush në rrjete sociale. Nuk të shanë kush, me një fjalë.
Kështu, derisa po meditoja për dramën administrative, lidhur me teatrin në Tiranë, po qëndroja, me një pozë filozofike, ulur në shkallët e teatrit kombëtarë në Prishtinë. Në sheshin “Skenderbeu”, fëmijët, të padjallëzuar siç janë, sprovojnë fatin, të kalojnë radhën pa u lagur, nëpër radhët shumëngjyrëshe të fontanës magjike. Diçka ngjashëm me “vetingun”, përpjekja e tyre. Do e kaloj ky, pa u lagur, ky? Po ky, i vogli, që duket krejt i pa sherr? Ata janë e ardhmja e kombit, dhe duhet të mësojnë të ja dalin, pa u lagur, thash me vete duke u përfshi nga atmosfera gazmore që krijonin prindërit krenar kur ndonjëri edhe kalonte radhën pa u lagur. Çfarë do të bëhet ky kur të rritet, po më hante dilema!
Do të thosha, për dallim nga politikanët, se prishtinasit e vegjël janë kampion. Tash, mos më kapni për gjuhe në janë prishtinas të lindur apo të ardhur në Prishtinë. E ku e kalon sfidën pa u lagur një prishtinas, apo një tirons, me prindër të lindur e rritur aty, të cilët tashmë e kanë humbur instinktin e mbijetesës?
Por, të e përmbyllim, me art. Me art modern, i cili mund të jetë metaforë për aktorët, teatrin edhe politikën njëkohësisht. Sislej Xhafa, për shembull është i guximshëm, sepse ai shkon përtej godinës, përtej standardeve. Ai është më shprehës dhe më përmbledhës. Ai bënë art, nga çdo gjë. U jep kuptim gjërave që nuk kanë. Ka përplot ide se çfarë të bëjë me këpucët e hudhura, apo me gjëra të tjera të papërdorshme, të cilat i kthen në art.
Edhe galerinë e arteve e shndërron pak a shumë në ahur lopësh. Në fakt, lopët janë art, dhe asnjë piktor nuk do i bënte pa i parë askund ashtu si i bëri krijuesi. Kemi harruar artin e krijuesit, i cili na bëri ne, dhe bagëtinë po ashtu, dhe na vendosi në raport të “natyrshëm” mes vete.
Futesh në galeri të arteve në Prishtinë, dhe në njërën nga dhomat, në katin e dytë, e ke një vrimë në mur, ku mungojnë disa tulla, dhe kështu është hapur një e çarë në mur, sikur një dritare pa kornizë, e cila të len mundësinë të shohësh në komunitetin lopëve. Ato, poshtë të patrazuara bëjnë jetën e tyre, pa tv, politikë, pa celularë, thjesht hanë barë dhe bëjnë “muuuu”.
Lopët, nuk ankohen, duken të kënaqura me jetën e tyre. Pastaj, edhe duhet të jenë të kënaqura, pasi për këtë ekspozitë një mujore, e cila thuhet se ka kushtuar rreth dyzet mijë euro, pastaj ato i kanë sjellë për herë të parë në kryeqytet dhe kanë marrë vëmendjen e artdashësve. Aty s’ka Hamlet, as Romeo! Nuk ka dramë. Çobani, i paguar nergut, u qet rregullisht me hangër, dhe në fund i mjel.
Po të ishte kjo një ngjarje në komunitetin tonë human, njerëzor, këtu do të hynte në skenë, anti- korrupsioni duke klithur: ku mbeti qumështi? Pastaj analistët e shumtë do të debatonin, nëse qumështi është bërë kos, djathë, apo është lënë të prishet, për të përfunduar si gjizë?
Ç’e do teatrin or vëlla? Bëjeni një të çarë në sallën e parlamentit! Publiku ka fjetur në shfaqje…