Lëvizja Vetëvendosje i ka fshirë 11 vite komunikata – një pjesë të madhe të historisë së zhvillimit nga një lëvizje në parti politike, por jo të gjitha komunikatat janë fshirë.
Njëra nga komunikatat që VV nuk ka arritur t’i zhdukë është edhe ajo ku nga ky subjekt politik kishin shkruar për pavarësinë e Kosovës, shkruan lajmi.net.
Në këtë komunikatë Lëvizja Vetëvendosje me ironi i referohen 17 shkurtit, datës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës si “miss pavarësia”.
“…edhe para 17 shkurtit, edhe pas 17 shkurtit të vitit 2008, mediet e Kosovës vlonin prej pavarësisë, çdo fotografi politikani fiksonte gojën e tyre në ndonjërën prej rrokjeve pa-va-rë-si, mirëpo s’ka dyshim se me 17 shkurt e patëm pavarësinë e vitit: pavarësia e 17 shkurtit e fitoi spektaklin e përzgjedhjes së ‘miss pavarësisë’, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.
Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunikatë thotë se festa në ditën e 17 shkurtit nuk ishte festë e fitores, por se shqiptarët po ndiheshin fitues dhe nuk ishte festë e çlirimit, por se festa po i çlironte shqiptarët.
“Festa ishte vërtetimi pa shqyrtim”, thuhet në këtë komunikatë të VV-së.
Në paragrafin mbyllës të kësaj komunikate, Lëvizja Vetëvendosje thotë se pavarësia që nuk lind nga vetëvendosja (i referohen vetëvendosjes së popujve dhe jo subjektit politik), plaket pa sovranitet dhe gjithashtu ata shkruajnë me dyshim lidhur me njëmendësinë e pavarësisë së shpallur me 17 shkurt.
Kjo është komunikata e plotë:
Në secilën ditë të pasluftës aq shumë kemi qenë të fokusuar në të ardhmen dhe aq shpesh kemi folur për të. Disi, thuajse kemi jetuar për të ardhmen. Por, edhe kemi jetuar në të ardhmen e cila asisoj e bënte të durueshme të tashmen. Gjendja gjithnjë ishte gjithsesi e keqe, porse shumë shpejt do të bëhej shumë mirë, apo jo? Ishim këtu (në Kosovë) dhe tash (në cilindo vit të pasluftës), por gjithmonë me mendje ishim në të ardhmen e afërt, ishim në kohën kur do të bëhemi shtet i pavarur, atëherë kur gjërat do (nisin të) të shkojnë vaj. Këso përshtypje kolektive te qytetarët kishin krijuar dhe kultivuar politikanët kryesorë, dhe jo vetëm ata, përgjatë tërë këtyre viteve pas përfundimit të luftës. Mbase, edhe shekulli XXI ka qenë emri i ardhmërisë në shekullin XX, dhe kjo ka pasur një ndikim të madh psikologjik te njerëzit. Ata po i jetonin tani vitet e para të shekullit XXI, uvertyrën e ardhmërisë, që ishte veçse edhe pak më tutje – duke na pritur krahëhapur, ndonëse ne çapiteshim disi kokëkulur.
Në secilin fundvit të pasluftës jemi kujdesur që t’i evokojmë kujtimet dhe mbresat, t’i përmbledhim ngjarjet më të rëndësishme të vitit që po e linim pas. Publikisht e privatisht i kemi peshuar ato nga një distancë disamujore, e cila i bënte të dukeshin ca më ndryshe se atëherë kur i kishim jetuar ato. Meqë Kosova është një vend i spektaklit të sforcuar që zbret nga lart, jo rrallë dëshpëroheshim. E merrnim vesh se me ngjarje të caktuara s’kishte ndryshuar asgjë dhe se për ndryshime të caktuara s’kishte patur fare ngjarje – ishte dukur ajo që s’kishte qenë apo edhe nuk e kishim parë atë që kishte ndodhur.
Në prag të vitit 2009, sigurisht që viti 2008 do të kujtohet për 17 shkurtin, ditën e shpalljes së pavarësisë. Do të kujtohet se si para shpalljes më shumë frikësoheshin shqiptarët sesa serbët (se ‘a thua çka do të bëhet?!’) dhe, mbi të gjitha, gjersa përgatitjet për festimin e Vitit të Ri 2009 marrin hov, do të kujtohet festa që e pasoi shpalljen e pavarësisë. Mijëra e mijëra njerëz patën vërshuar në qytetet e fshatrat e Kosovës për ta shënuar atë që quhej ditë historike e Kosovës së re. Më parë sesa që ndiheshin plotësisht fitues dhe prandaj festonin, shqiptarët festonin anekënd ku ishin, pikërisht për shkak se donin të ndiheshin fitues. Ishin lodhur e mërzitur duke pritur, duke dëgjuar për koncesione të reja në kurriz të Kosovës për hir të pavarësisë së saj që vazhdimisht shtyhej. Me shpalljen e pavarësisë, festa po i çlironte shqiptarët, dhe jo aq se festonin meqenëse ishim çliruar. Nëse do të mendonin, nuk do të ndiheshin të sigurt. Festa ishte vërtetimi pa shqyrtim.
Këto ditë të fundit të vitit 2008 do t’i dëgjojmë politikanët teksa përsërisin me solemnitet që ky vit ishte vit i pavarësisë. Dhe njëmend, në masën në të cilën kjo pavarësi nuk ishte vetëm formale, në po atë masë edhe viti 2008 ishte vit i pavarësisë. Por, ka një të vërtetë edhe më të madhe, edhe më të thellë se kjo: 17 shkurti ishte pavarësia e vitit! Çdo ditë e pasluftës ka qenë ditë e pavarësisë: zyrtarë e politikanë të ndryshëm janë bërë aq të njëjtë duke na bombarduar çdo ditë të lume me fjalën pavarësi. Me këtë fjalë janë ngjitur në pushtet edhe atëherë kur s’kishte pushtet; me këtë fjalë kanë mbetur në pushtet edhe atëherë kur pushteti kishte rënë përdhe. Mirëpo, secili vit i kishte disa ditë kur fjala pavarësi ishte së tepërmi e theksuar dhe ndonjëra prej atyre ditëve më të shënuara me fjalën ‘pavarësi’ bënte që të mund të flitet edhe për pavarësinë e vitit. P.sh. në vitin 2007 aq shumë që u pat përmendur pavarësia: ishte potencuar tejmase me 17 nëntor kur po mbaheshin zgjedhjet, me 23 mars kur erdhi rekomandimi i Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur ndaras prej Planit të tij (sic.) etj. Mirëpo sigurisht që pavarësia e vitit 2007 ishte pavarësia që doli nga goja e presidentit amerikan George Bush Jr., me 10 qershor 2007, në Tiranë. Në këtë kuptim, me 17 shkurt ngjau pavarësia e vitit 2008. Edhe para 17 shkurtit, edhe pas 17 shkurtit të vitit 2008, mediet e Kosovës vlonin prej pavarësisë, çdo fotografi politikani fiksonte gojën e tyre në ndonjërën prej rrokjeve pa-va-rë-si, mirëpo s’ka dyshim se me 17 shkurt e patëm pavarësinë e vitit: pavarësia e 17 shkurtit e fitoi spektaklin e përzgjedhjes së ‘miss pavarësisë’.
Në këtë fund të vitit nuk duhet ta kthejmë shkimin vetëm te viti i fundit. Nuk duhet ta shikojmë vetëm vitin 2008, por ta shikojmë të kaluarën. Dhe, nuk duhet ta shikojmë të kaluarën vetëm si të kaluar të këtij viti, por edhe si të kaluar të viteve të tjera që s’kanë se si të jenë radikalisht të ndara nga ky: jeta jonë (gjithnjë e më) e rëndë është dëshmi për këtë. Sidomos le të mos e shikojmë të kaluarën teknikisht ashtu siç shihet një vit i tërë në prag të vitit të ri: me ëmbëlsinë e festës në llogari të kritikës.
Te e kaluara që trajtohet seriozisht ndodhen shpjegimet për të tashmen por edhe baza për të ardhmen. Nuk mund të hedhim themele të shëndosha për të ardhmen, nëse nuk i referohemi asaj që e konsiderojmë vlerë të së kaluarës. Nuk mund të kemi të ardhme të ndritshme nëse bazën e saj e shohim jashtë prej nesh apo e kërkojmë jashtë nesh. Nuk mund të kemi të ardhme pa pasur të kaluar. Pavarësia e 17 shkurtit do të varet gjithnjë e më shumë nëse ajo mbështetet jashtë historisë së Kosovës si puna e Planit të Ahtisaarit, dhe jo te vullneti i popullit dhe lufta e tij çlirimtare. Nuk do të mund të shkëputemi plotësisht prej Serbisë në emër të fqinjësisë së mirë me të në kohën kur ajo vepron kundër nesh si një armik. Nuk mund ta nxjerrim Serbinë jashtë duke mos kërkuar fare drejtësi për krimet e shumta të saj për të cilat ajo edhe sot e kësaj dite mbetet e papenduar. Pavarësia e Kosovës është pavarësi në tokën tonë e jo në qiej të huaj. Për të ardhmen çfarë e dëshirojmë duhet të çlirohemi nga obsesioni ynë për të: nuk mund të kemi të ardhme pa pasur të kaluar – jo vetëm të kaluar si një vit që bëhet i tillë, pra i kaluar, por të kaluar si histori të kultivuar që na bën krenarë. Na duhet një e ardhme e re që nuk e shpërfill historinë ‘sepse është e vjetër’.
Përndryshe, rrezikojmë të kemi edhe shumë këso pavarësish edhe në vitin 2009. Pavarësia që nuk lind nga vetëvendosja, plaket pa sovranitet. Dhe, ajo mbetet fjalë që vazhdimisht duhet ta dëgjojmë përderisa nuk bëhet vepër që mund ta shohim. Nëse për çdo fundvit politikanët uronin që viti i ardhshëm të jetë vit i pavarësisë, në fund të vitit 2008, kështu siç janë, mbase u mbetet që me të njëjtën pasiguri të urojnë që viti 2008 të ketë qenë përnjëmend vit i pavarësisë.