Kurti: Astrit Dehari është aktivist që nuk shuhet kurrë

Prishtinë | 05 Nën 2022 | 10:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sot janë bërë gjashtë vjet nga vdekja e mistershme e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Me këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar homazhe pranë varrit të tij, me ç’rast u kërkua drejtësi për vdekjen e tij, raporton Ekonomia Online.

Të pranishëm ishin figura të larta të partisë, familjarë e aktivistë të VV-së.

Nga aty, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa e kujtoi Deharin, e quajti aktivist që nuk shuhet kurrë.

I shoqëruar nga prindërit, gruaja dhe vajza e Astrit Deharit, Kurti ka thënë se aktivistët si puna e Astritit janë të paharrueshëm.

“Sot janë mbushur gjashtë vjet pa aktivistin, studentin, patriotin shembullor, Astri Dehari. Lëvizja Vetëvendosje e ka pranë në zemër ashtu siç Astriti e kishte Vetëvendosjen në zemër. Dhe sot Astrit e Arbënori janë të varrosur pranë njëri-tjetrit dhe në këtë gjashtë-vjetor të mbytjes së Astrit Deharit në burg të Prizrenit, vizituam familjen e tij dhe vendosëm lule të freskëta te varri i tij. Astrit Dehari është aktivisti i cili nuk shuhet kurrë dhe i cili na bën që ne t’ia përkujtojmë rrugën për të ardhur deri këtu”, u shpreh Kurti.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se fajtor për vdekjen e Astritit është Prokuroria. Ajo ka përmendur edhe shkarkimet e zyrtarëve të Shërbimit Korrektues.

“Sot jemi këtu për të përkujtuar aktivistin tonë, Astrit Dehari, një aktivist shëmbullor, i cili dha gjithçka që vetëm Kosova të jetë një vend i jetueshëm e ku ka drejtësi, barazi . Në fakt do të donim drejtësi për Astritin, por që fatkeqësisht atë nuk e kemi dhe sigurisht përgjegjësinë kryesore e mban Prokuroria, sepse ajo është përgjegjëse për hetimin e rrethanave të vrasjes së Astrit Deharit”, tha ajo.

“Unë e kam thënë se rasti Dehari, është rasti më i rëndë që nga paslufta, sepse një aktivist politik ishte marrë në paraburgim duke ia mveshur një vepër që nuk e kishte bërë dhe prej aty nuk doli i gjallë. Si Ministri e Drejtësisë të gjitha kompetencat të cilat ndërlidhen me rastin Dehari ne i kemi përfunduar, ku para pak ditësh i kemi suspenduar disa zyrtarë të cilët kishin pas përgjegjësi në këtë rast”, tha tutje Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë ka thënë se Prokuroria duhet ta bëjë punën e saj pa vonesa dhe ka theksuar se është e nevojshme drejtësia për Astritin sepse edhe shoqëria e dëshiron atë.

Ajo tutje ka pohuar se lidhur me këtë rast ka një neglizhencë nga ana e prokurorit special, gjersa, ka bërë thirrje që të ndërrohet prokurori i rastit apo të formohet një ekip prokurorësh që të zbardhin rastin sa më shpejt.

“Ka një neglizhencë nga ana e prokurorit special, aj nuk flet për rastin, injoron kërkesat e familjes. Unë thërras që të ndërrohet prokurori i rastit ose të formohet një ekip i prokurorëve dhe sa më shpejt të zbardhet rasti”, ka përfunduar Haxhiu.

Ndërkaq, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, kërkoi që të zbardhen të gjitha rrethanat që dërguan në vrasjen e Deharit dhe përgjegjësit të ballafaqohen me ligjin.

“Është shumë e vështirë të dihet se në Kosovën e pas luftës në një shtet demokratik kanë mundur të ndodhin situata e rrethana që paraqesin një ngarkesë kaq të rëndë dhe një dhimbje kaq të madhe për familjen dhe për të gjithë aktivistët dhe secilin qytetarë të Republikës së Kosovës. Mbesim të përkushtuar se drejtësia shpejtë do të bie në vendin e vet të gjitha rrethanat që dërguan vdekjen e Astritit do të zbardhen e natyrisht edhe ata përgjegjësit do të ballafaqohen me ligjin”, tha Kusari-Lila.

Babai i Astritit, Avni Dehari, njëherësh deputet i VV-së, falënderoi të gjithë të pranishmit për homazhet, ndërsa tha se mbështetja e miqve dhe qytetarëve i bënë të jenë më të fortë.

“Vetëm mund t’i falënderoj të gjithë bashkëveprimtarët, shokët, miqtë, dashamirët, qytetarët e shumtë që vijnë dhe na nderojnë në këto përvjetorë, qoftë të Arbënorit, qoftë të Astritit, nuk na lënë vetë dhe na mbështesin dhe kjo na bënë të qëndrojmë më të fortë”, tha Dehari.

Të ngjashme