Kurti e Nagavci vizitojnë shkollën “Elena Gjika”, premtojnë përkrahje e presin rezultate të mira

Prishtinë | 07 Mar 2022 | 10:11 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë vizituar shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Elena Gjika” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Aty Kurti e Nagavci u pritën nga nxënësit e kësaj shkolle, të cilët kishin përgatitur edhe një performancë të shkurtër muzikore për nder të kësaj dite.

Kryeministri Albin Kurti tha se rinia e sotme janë e tashmja e vendit dhe fëmijët ende të pa lindur janë e ardhmja e vendit.

Ai tutje i urojë 7 marsin të gjithë mësimdhënësve duke iu premtuar mbështetje dhe përkrahje.

“Meqenëse kemi nevojë për shëndetësi të mirë, kemi nevojë për ekonomi të zhvilluar, kemi nevojë për siguri të qëndrueshme, por do të thoshim, mbase jo vetëm sot, se para së gjithash e mbi të gjithash kemi nevojë për arsim cilësor, e arsimi varet sa nga nxënësit dhe familjet, edhe më shumë nga mësimdhënësit, që do të thotë nga shteti.

Arsimi, shkolla, është vendi ku fëmija për herë të parë e takon shtetin, tek ju e takon shtetin për herë të parë dhe, nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë, edhe ne nuk jemi të vetëdijshëm sa shumë fëmijët rriten brenda raportit nënë-mësuese.

Ajo çfarë jemi sot me përvojën, dijen, karakterin tonë, varet shumë prej kësaj situate të definuar nga këto dy personalitete. Pra, nëna edhe mësuesja”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se rendet ligjore duhet të kenë strategji që të identifikojnë dhe parandalojnë dhunën nëpër shkolla dhe në bashkëpunim me ministrinë, Kurti ka thënë se këto lajme do t’i kalojnë së kaluarës.

“Është vërtetë shqetësuese sepse bëhet fjalë për armë të ftohta të cilat po i mbajnë nxënësit nëpër shkolla, nxënësit e caktuar. Unë besojë që me angazhimin shtesë që do ta bëjnë ministria dhe policia në njërën anë, me një lloj zbutje te pandemisë në anën tjetër që të krijohet atmosfera në mënyrë që e gjithë kjo dhunë nëpër shkolla e cila i ka mbushur lajmet këtë dimër ti takoje së kaluarës”, tha Kurti.

E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, duke uruar mësimdhënësit për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, tha se është ndarë buxheti për mësimdhënësit që kanë probleme shëndetësore.

“Disa nga hapat që i kemi marrë në Qeveri sivjet për herë të parë në buxhetin e vitit 2022, kemi planifikuar buxhetin për mësimdhënësit të cilët kanë probleme shëndetësore sepse jemi të vetëdijshëm që plot nga kolegët tanë kanë vështirësi në zhvillimin e mësimdhënies së rregullt për shkak të problemeve shëndetësore, dhe si një problem i shprehur nga shumica e shkollave, ne kemi adresuar dhe jemi duke punuar edhe në infrastrukturën ligjore që të lejojmë që secili mësimdhënës të kryej punën e vet pa brengën e shqetësimeve që i sjell shëndeti”, tha Nagavci.

“Kam kënaqësinë që të jemi bashkë me kryeministrin Kurti. Ndryshe prej mësimdhënësve të vendeve tjera kanë pasur barrën që të ngjallin edhe ndjenjat e atdhedashurisë. Sakrifica e gjeneratave të tjera na mundëson që edukimin për fëmijët tani ta bëjmë në kushte më të mira. Andaj edhe unë jam e bindur që kujtimet që ju i leni tek nxënësit janë të pashlyera në memorien e secilit nxënës”.

“Uroj që kujtimet e nxënësve për ju të jenë më të mira dhe të jenë një model i mirë. Jemi të vetëdijshëm se përtej çdo infrastrukture dhe politike jeni ju ata qe do ta arrini suksesin tek nxënësit”.

Të ngjashme