Kurti e pranon se duhet punuar më shumë: Sfidave do t’u japim përgjigje

Prishtinë | 11 Jan 2023 | 11:04 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë iu uroi punë të mbarë ministrave, duke i bërë disa premtime e duke pranuar në njëfarë mënyre se nevojiten më shumë punë e rezultate.

Kurti tha se “viti 2023 do të jetë më shumë për arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, bujqësinë e kulturën” dhe se “sfidave do t’u japim përgjigje”, raporton Ekonomia Online.

Paraprakisht, kryeministri tha se rezultatet e vitit paraprak duhet të jenë minimumi i rezultateve të Qeverisë këtë vit.

“Angazhimi, puna dhe rezultatet në vitin 2022 duhet të jenë minimumi i angazhimit, punës dhe rezultateve të vitit 2023. Le të vazhdojmë pra garën me veten, me bindjen se potenciali ynë është më i madh sesa aktualiteti”, tha ai.

Sipas kryeministrit, Qeveria e ka nisur mbarë këtë vit.

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 118-të të Qeverisë

Prishtinë, 11 janar 2023

Të nderuar anëtarë të kabinetit,

Të dashur qytetarë,

Mirë se po takohemi në mbledhjen e parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe në mbledhjen e 118-të gjithsej.

Po e fillojmë edhe një vit të ri, por në të njëjtën kohë po i afrohemi përmbylljes së edhe një viti të qeverisjes sonë.  

Angazhimi, puna dhe rezultatet në vitin 2022 duhet të jenë minimumi i angazhimit, punës dhe rezultateve të vitit 2023. Le ta vazhdojmë pra garën me vetën, me bindjen se potenciali ynë është më i madh se sa aktualiteti që e kemi.

Ia kemi filluar mbarë, që në ditën e tretë të vitit, e para se të mbërrijmë në gjysmën e mandatit tonë, realizuam premtimin për shtesa për të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare.

Kurse sot, në javën e dytë e në mbledhjen e parë për këtë vit, kemi në rend të ditës miratimin e Projektligjit për Investime të Qëndrueshme. Nëpërmjet tij, synojmë që të mbrojmë dhe tërheqim investimet, vendosim bazën për të përkrahur industrinë vendore dhe punësimin e qëndrueshëm, të fuqizojmë rininë dhe gratë, si dhe të thellojmë bashkëpunimin me mërgatën tonë.

Me mbrojtjen, ekonominë, demokracinë dhe shtetin ligjor në binar, si dhe me buxhetin për këtë vit tashmë të miratuar në Kuvend, në vitin 2023 kemi hyrë me më shumë siguri, me më shumë besim për të ardhmen, të cilën e synojmë dhe të ardhmen, të cilën e meritojmë.

Zelli dhe angazhimi ynë për të realizuar programin qeverisës dhe për të jetësuar reformat e thella e transformuese nuk do të pushojë as edhe për një ditë. 

Viti 2023 do të jetë më shumë për arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, bujqësinë, ekonominë e kulturën, vit i edukimit, shëndetit, barazisë, drejtësisë, mirëqenies, sigurisë, prodhimit dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror, vit i të gjithë qytetarëve dhe për Republikën.

Sfidave do t’iu japim përgjigje. Vështirësitë do t’i kthejmë në mundësi. E përballja me to do të na definojë si popull, si shoqëri e si shtet.

Ju uroj të gjithëve një fillim të mbarë! 

Juve, të nderuar anëtarë të kabineti, ju uroj punë të mbarë!

Faleminderit.

Të ngjashme