Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar Projektligjin për Gjykatën Komerciale.
E në lidhje me këtë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky ishte një zotim i tyre zgjedhor.
Ai u shpreh se tashmë edhe formalisht u hap rruga për krijimin e kësaj gjykate.
“Edhe formalisht u hap rruga për krijimin e Gjykatës Komerciale. Ishte ky zotim i yni zgjedhor, prioritet në programin qeveritar, që sot e mori epilogun nga Kuvendi i Republikës. I falenderoj të gjithë deputetët për votimin dhe diskutimet.Shumë gjatë sektori privat është ballafaquar me sfida që kanë frenuar bizneset e tyre për shkak të mungesës së efikasitetit gjyqësor, procedurave të stërzgjatura për zgjidhjen e rasteve, ekspertizave profesionalisht jo të kënaqshme apo numrit të vogël të gjyqtarëve. Vetëm për tri vite (2018, 2019 dhe 2020), në Departamentin për Çështje Ekonomike janë hapur 2260 konteste mes bizneseve, nga të cilat 15 raste kanë vlerë mbi 1 milion euro secila”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti tha se Ligji për Gjykatën Komerciale, ndër të tjera ndërton besimin e investitorëve.
“Ligji për Gjykatën Komerciale krijon mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare, me qëllim që të drejtat e bizneseve të fituara nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare dhe administrative të realizohen pa vonesa, duke lehtësuar kësisoj shfrytëzimin e kapitalit. Ligji siguron lirinë e sipërmarrjes, barazinë e palëve, të drejtën e pronës dhe zbatimin e kontratave, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Po ashtu, ndërton besimin e investitorëve, duke përfshirë mërgatën tonë, dhe i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës”, tha Kurti.
Kurti u shpreh se themelim i kësaj gjykate do të përmirësoj gjendjen përmes aktgjykimeve meritore për zgjidhje përfundimtare të rasteve nga gjyqtarët.
“Departamenti Ekonomik i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka operuar me kapacitete mjaft të kufizuara, me ç’rast mesatarja e zgjidhjes së vetëm një rasti të natyrës ekomomike merrte 4 deri në 5 vite kohë. Themelimi i Gjykatës Komerciale do të përmirësoj gjendjen përmes aktgjykimeve meritore për zgjidhje përfundimtare të rasteve nga gjyqtarët, numri i të cilëve do të rritet konsiderueshëm, nga vetëm 5 sa kanë qenë deri tash. Mbi 3.000 raste qysh në fillim do të jenë subjekt shqyrtimi i kësaj Gjykate, që do të ketë juridiksion edhe për rastet përmbarimore, duke zgjidhur afërsisht 500 raste të kësaj natyre në vit. Ky ligj do të ketë ndikim ekonomik tejet pozitiv në vendin tonë. Lehtësohet tërheqja e investimeve të jashtme, duke na bërë kredibilë, seriozë dhe të përkushtuar për drejtësi dhe të drejtën, drejt zhvillimit ekonomik”, tha ai.
Tutje, Kryeministri Kurti është shprehur se Ligji për Gjykatën Komerciale i shërben shtetit të së drejtës si parakusht të zhvillimit ekonomik.