Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar sot qëndrimin e LDK-së që e prezantoi dje se do të mbesë në opozitë dhe se Presidenti duhet të jetë jopartiak dhe që e mbron “Kushtetutën e Republikën”, raporton Ekonomia Online.
Ai iu referua si “mik” kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa për të tha se s’do të “kishte qenë pak po të bëhej” zëvendës i tij në qeveri.
Gjithashtu, Kurti insistoi se pak s’është për LDK edhe po ta merrte postin e kryeparlamentarit.
“Pozita e kryetarit të Kuvendit është refuzuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është konsideruar ceremoniale. Unë besoj që është dashur që ta marrin atë pozitë. E ndjeka edhe mbrëmë qëndrimin e deklaratën publike të mikut tim, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha që LDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje, ta kemi një marrëveshje politike”, ka thënë Kurti.
