“Kurti ka bërë disa gabime strategjike të cilat tash do t’i kthehen bumerang”

Prishtinë | 05 Nën 2022 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Sipas analistit politik, Artan Muhaxhiri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë disa gabime pesha e të cilave do t’i kthehet.

Muhaxhiri ka thënë se Kurti nuk ka harmonizuar me këshillat e ndërkombëtarëve dhe se i njëjti, ka krijuar një iluzion të pushtetit të Qeverisë së vendit.

“Kryeministri Kurti ka bërë disa gabime strategjike të cilat tash do t’i kthehen bumerang. Fillimisht, nuk ka pasur vullnet t’i harmonizojë idetë dhe planet me aleatët tanë ndërkombëtarë, por ka vepruar kundër sugjerimeve të tyre. Gjithashtu, ai e ka krijuar iluzionin se Qeveria e Kosovës ka pushtet efektiv mbi serbët e Veriut – gjë që do të dëshmohet si jorealizëm lajthitës”, ka deklaruar Muhaxhiri për Dukagjinin.

Krahas kësaj, dialogu do të ndërlikohet dhe do të pësojë një shtangim, e së bashku me të, edhe agjenda evropiane e Kosovës.

“Tash do të humbet shumë kohë dhe energji për rikthim politik në pikën ku ishim deri sot. Cilado që të mund të ketë qenë arsyeja e kësaj ndërmarrjeje të Kryeministrit Kurti, është e sigurt që për shkak të qasjes populiste dhe jopragmatike, do të ketë pakrahasimisht më shumë dëme sesa dobi”, ka deklaruar ai.

Lidhur me situatën, Portali Dukagjini ka pyetur edhe analistin Imer Mushkolaj.

“Kjo është karta e fundit e Vuçiqit në përpjekje për të manipuluar me situatën në veri të vendit. Por, po ashtu, është një sfidë për institucionet e Kosovës se si t’i japin zgjidhje situatës së krijuar, duke pasur parasysh gjendjen e brishtë të sigurisë”, ka deklaruar Mushkolaj.

Në takimin e mbajtur në Zveçan, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës. Sipas Mushkolaj, një situatë e tillë paraqet një sfidë për institucionet e vendit.

Përveç zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Të ngjashme