Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 37-vjetorin e grevës së minatorëve të Trepçës me thirrjen “Kosova Republikë”.
Kurti ka shkruar duke filluar nga 20 shkurti i 1989 të orës 13:00, kur minatorët e ndërrimit të katër në Stantërg refuzuan të dilnin nga miniera, e kështu duke hyr në grevë urime.
Postimi i plotë:
Për të nderuar kontributin e dhënë ndër gjenerata për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, sot, 37 vite më pas, le ta kujtojmë grevën e minatorëve të Trepçës, me thirrjen “Kosova Republikë”. Më 20 shkurt të vitit 1989, rreth orës 13:00, minatorët e ndërrimit të katërt në Stantërg, refuzuan të dilnin nga miniera duke hyrë në grevë urie. Atyre iu bashkuan edhe kolegët minatorë të tre ndërrimeve të tjera duke u bërë gjithsej rreth 1300 minatorë grevistë. Të shqetësuar për fatin politik të shqiptarëve në Jugosllavi dhe për cënimin e statusit të Kosovës si krahinë autonome dhe element konstituiv në kuadër të asaj federate, minatorët ishin në grevë nga 20 deri më 28 shkurt, duke këmbëngulur në 10 kërkesa të tyre që shkonin deri tek ajo që çështja e shqiptarëve në Jugosllavi të shqyrtohej edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kjo nuk ishte hera e parë që komuniteti i minatorëve organizohej me kërkesa politike, meqë tre muaj më parë, më 17 nëntor 1988, minatorët e Trepçës marshuan në këmbë nga Stantërgu deri në Prishtinë, me thirrje për t’u përfillur politikisht klasa punëtore. Kurse qysh më 28 shtator 1983, minatorët Xhavit Bajraktari dhe Shyqri Miftari, e kishin shkruar në muret e menzës së punëtorëve parullat “Kosova Republikë” dhe “Trepça është e jona”.
Komiteti Krahinor i Kosovës nuk iu përgjigj kërkesave të minatorëve, teksa përdori të deleguar dhe manovrime mashtruese të ndryshme për t’i dhënë fund grevës. Më 1 mars 1989, minatorët grevistë dolën nga zgafella e tetë dhe e nëntë, miniera u mbyll, kurse 15 minatorë u arrestuan dhe u dënuan me nga 14 muaj burgim. Tre javë më pas, më 23 mars 1989, Serbia ia suprimoi autonominë Kosovës, duke i hapur rrugë instalimit të apart’heidit në Kosovë. Megjithëse kërkesat e minatorëve nuk ishin realizuar, greva e minatorëve në Stantërg, ishte akti i parë i gjerë rezistues që hapi epokën e shkatërrimit të Jugosllavisë të udhëhequr nga Serbia e Millosheviqit, periudhë kjo që kulmoi me çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999.
I kujtojmë çdo ditë, të gjithë brezat, sepse e kaluara dhe historia jonë, janë themeli i shtëpisë sonë politike: Republikës së Kosovës.