Kurti: Ligji për zyrtarët publikë dhe ai për pagat, hap i madh përpara ndryshimit thelbësor

Prishtinë | 22 Dhj 2022 | 18:01 | Nga Ekonomia Online

Kryeminsitri Albin Kurti, ka thënë se Ligji për Zyrtarët Publik dhe ai për Pagat në Sektorin Publik, janë një hap i madh përpara ndryshimit thelbësor që e presin të gjithë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti ka thënë se deputetët me votën e tyre këto dy ligje bazë për reformën në administratë publike.

Përmes këtij ligji, sipas Kurtit, të ngritët profesionalizmi i administratës publike, si dhe kapacitetet e saj për të dhënë shërbime të shpejta e cilësore, për shtetin e qytetarët.

Sipas kreut të Qeverisë, me Ligjin për Zyrtarët Publik, janë krijuar ndër të tjera, të gjithë mekanizmat e duhur për:

– Rekrutime të hapura për të gjithë nga jashtë dhe brenda administratës publike;

– Rigjenerim dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore (mërgata, praktika për të rinjtë e rejat);

– Hapja e sistemit për përfshirjen e grave dhe vajzave në pozitat drejtuese;

– Përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në çdo kategori;

– Mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;

– Jetësim i konceptit të karrierës (mundësi ngritje në karrierë për shërbyesit civil duke përfshirë edhe ata nga programet e bursave si Young Cells Scheme);

– Mundësi reale për ngritje në karrierë përmes mekanizmit të mandateve me kohë të caktuar në nivelet menaxheriale;

– Matje e drejtë e performancës dhe cilësisë.

Po ashtu Kurti tha se Ligji i Pagave në Sektorin Publik, themelon për herë të parë sistemin e unifikuar të pagave bazuar në ligjshmëri dhe transparencë, drejtësi e barazi.

“Përmes këtij Ligji, dallimin mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë, në vetëm 4.78 herë. Me Ligjin e Pagave të votuar sot nga Kuvendi i Republikës:

– Dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është Presidentja, Komandantja supreme, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë, e dallimi në mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë.

– Dallimi në mes të Ministrit dhe policit të lartë është vetëm 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit është 2.88 herë.

– Dallimi në mes të pagës së kreut të shtetit, Presidentes, dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë.

– Mjeku specialisti në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në Gjykatën dhe prokurorinë themelore dhe të përafërt me Profesorin e rregullt”, deklaroi ai.

Kryeministri tha se shkallëzimi i drejtë i raportit të koeficienteve është bërë duke zbatuar parimin që paga më e lartë të jetë jo më shumë se pesë (5) herë më e lartë sesa paga më e ultë, dhe jo më shumë se tre (3) herë më e lartë sesa paga mesatare e përllogaritur sipas Ligjit të Pagave.

“Duke falënderuar secilën e secilin që i ka kontribuar këtij procesi jetik për institucionet tona, u sigurojmë që reforma legjislative është vetëm hapi i parë në rrugëtimin tonë për administratë bashkëkohore, profesionale dhe efikase”, shkroi Kurti në Facebook.

Ndërkaq, këtë ligj, e kanë kundërshtuar ashpër opozita.

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili u miratua në Kuvend këtë të enjte.

Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka thënë se duke u bazuar në drejtësi, presin rrëzimin e padiskutueshëm të tij.

Sipas tij, përmes këtij ligji Qeveria Kurti po synon largimi masiv nga puna të zyrtarëve publikë, shantazhimin, politizimin dhe nënshtrimin e tyre.

Po ashtu kundër këtij ligji ka qenë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i GP-së të AAK-së, Besnik Tahiri, këtë vendim e ka quajtur terr informativ dhe manipulim të radhës.

“E tash që kaloi Ligji i Pagave, a ka dikush në qeveri që mundet me na tregu sa është rroga e një zyrtari të shtetit? Terr informativ, manipulim dhe siç po duket edhe një mashtrim i radhës. Folni mos heshtni tash”, ka deklaruar Tahiri.

Të ngjashme