Kurti: Në Klinikën Hemato-Onkologjike dhe në Klinikën e Nefrologjisë, pacientët do të kenë qasje në shërbime të reja

Prishtinë | 14 Nën 2024 | 09:08 | Nga Gzim Mujaj

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar punimet në Klinikën Hemato-Onkologjike dhe në Klinikën e Nefrologjisë, raporton Ekonomia Online.

Kurti e ka quajtur projekt tejet të rëndësishëm ndërtimin e Klinikës Hemato-Onkologjike dhe Klinikës së Nefrologjisë.

Ai tha se ky projekt është në vlerë 4.3 milionë euro dhe do të ofrojë shërbimet më të larta shëndetësore për trajtimin e pacientëve me këto sëmundje në Republikën e Kosovës.

Kryeministrit Kurti tha se qytetarët kosovarë nuk do të ketë më nevojë që të mendojnë me cilën aviokompani do të udhëtojnë jashtë shtetit për t’u shëruar, por do të marrin sipas tij shërbime cilësore shëndetësore në Kosovë.

Kryeministri Kurti tha pritet që ky objekt të përfundojë para kohës së paraparë për ndërtim.

“Ky është kapërcimi me i rëndësishëm që po bëhet në investimet ne shëndetësi. Siç morëm vesh do ti ketë tri nivele ndërtesa. Me ç’rast nefrologjia e zë hapësirën prej 1 mijë 94 metra katror në përdhes. Hemato-Onkologji që është në katin e parë 1 mijë e 610 metrave katror dhe investimi ka sipërfaqen e përgjithshme prej 3 mijë e 760 metra katror. Afati i kontratës 42 muaj, kohëzgjatja e implementimit 36 muaj. Po neve na u tha se kjo do të shkurtohet dhe në fakt synimi është që të përmbyllet për 24 muaj, që i bie se në vend të tri viteve, vetëm dy vite”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se pacientët do të kenë qasje në shërbime të reja që nuk janë të dispunueshme në vendin tonë.

“Janë shërbimet e reja që janë synimi jonë sepse zhvillimi-investimi bëhet me pacientin në qendër. Është shërbimi i plazma-fezmës që për herë të parë po bëhet në Kosovë dhe po angazhohemi që të ofrohet edhe biopsia e veshkës. Tjetra është transplantimi i autolog i palcës kockore për leomomit akute një mundësi që më parë i dërgonte pacientet tanë jashtë vendit për trajtim”, tha Kurti.

Drejtoresha e klinikës së Hematologjisë Aferdita Ukimeraj tha se Klinika e Hematologjisë është një prej klinika që ka pasur nevojë të domosdoshme për një rritje të hapësirave për një trajtim sa më dinjitoz të të sëmurëve hematom.

“Se më të vërtet është një patologji që kërkon një kujdes të veçantë prej të gjithë neve”, tha ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se renovimet e klinikave po bëhen sipas standardeve më të larta bashkëkohore në mjekësi.

“Edhe renovimet e transformimet e klinikave që po i bëjmë edhe ndërtimet e reja janë duke ndodhur sipas standardeve dhe janë duke u bërë sipas standardeve më të larta bashkëkohore sot në mjekësi. Jemi të informuar dhe keni parasysh se secili nga ne kemi pasur një punë në QKUK, shumica e objekteve janë objekt të ndërtuara 4-6 dekada e më shumë dhe ato nuk i kanë plotësuar as për së afërmi kushte bazike për një shërbim cilësor e bashkëkohor qysh e meritojnë qytetarët e Republikës. Kjo është e mira se çdo investim që po bëhet sot, po bëhet me të gjitha këto kushte përfshirë këtu edhe komponentin e digjitalizimit sepse jemi duke punuar vazhdimisht”, ka thënë Vitia.

Të ngjashme